Shqipëria U21 ka vazhduar stërvitjet në “Air Albania” për dy ndeshjet e muajit mars, të rëndësishme për kualifikim në Kampionatin Evropian të vitit të ardhshëm. “Kuqezinjtë” me selektor Alban Bushin, do të luajnë më 22 mars kundër Finlandës në “Air Albania”.
Në të njëjtin stadium më 26 mars luajnë edhe kundër Zvicrës. “Grupi i lojtarëve ishte i plotë nën urdhrat e trajnerit Alban Bushi. Të gjithë futbollistët gëzojnë formë të mirë dhe nuk kanë probleme fizike”, ka shkruar FSHF-ja të mërkurën në mbrëmje.
Në Grupin E me Shqipërinë U21, janë edhe Rumania, Mali i Zi e Armenia. FSHF-ja ka bërë të ditur se hyrja për dy ndeshjet e muajit mars do të jetë falas për tifozët. Shqipëria U21 ka zhvilluar pesë ndeshje deri tani në kualifikimet për “Euro 2025” dhe ka tri fitore e dy humbje.
Zë vendin e tretë me nëntë pikë. Lidere është Zvicra U21 me 11 pikë në pesë ndeshje, ndërsa Rumania U21 është e dyta me 10 pikë në pesë ndeshje po ashtu. Finlanda U21 ka gjashtë pikë në katër ndeshje. Mali i Zi me tri ndeshje të luajtura është i pesti me tri pikë. Në vendin e fundit është Armenia U21. Kjo përfaqësuese ka zhvilluar gjashtë ndeshje dhe e ka vetëm një pikë.