Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Shqipëria synon rritjen e përdorimit të automjeteve elektrike deri në vitin 2030

Shqipëria synon rritjen e përdorimit të automjeteve elektrike deri në vitin 2030

Qeveria e Shqipërisë ka hedhur në konsultim publik Planin Kombëtar për Energjinë dhe Klimën 2020-2030, ku synohet rritja e përdorimit të automjeteve elektrike dhe kufizimi i atyre me karburant, transmeton Anadolu.

Dokumenti, që pritet të miratohet nga Këshilli i Ministrave i Shqipërisë pas konsultimeve, synon të afrojë vendin me politikat energjetike dhe klimatike të Bashkimit Evropian (BE).

Më anë të këtij plani, synohet që deri në vitin 2030, 10 për qind e të gjithë flotës së automjeteve në vend të jenë automjete elektrike.

Sipas planit në fjalë, brenda vitit 2025 synohet kufizimi i përdorimit të automjeteve me karburant, ku propozohet paraprakisht përdorimi i tyre në ditë të caktuara të javës, edhe sipas targës së makinës.

Në dokumentin që është në fazë konsultimi thuhet se Plani Kombëtar për Energjinë dhe Klimën duhet të trajtojë disa dimensionet në mënyrë të integruar, si dimensionin e dekarbonizimit, të eficencës së energjisë, sigurisë energjetike, tregut të brendshëm të energjisë dhe dimensionin e kërkimit, inovacionit dhe konkurrencës.

Sipas dokumentit, zhvillimi dhe zbatimi i politikave kombëtare të energjisë dhe klimës nuk do të synojë vetëm të reduktojë emetimet e gazeve serrë, por gjithashtu të gjenerojë përfitime të rëndësishme ekonomike në sektorë të ndryshëm.

Exit mobile version