Ballina Lajmet Shqipëria siguron energjinë elektrike për gjithë muajin tetor

Shqipëria siguron energjinë elektrike për gjithë muajin tetor

Shqipëria ka siguruar energjinë elektrike për gjithë muajin tetor. Alternativa që ka zgjedhur Korporata Energjetike KESH është kombinimi i energjisë së prodhuar nga hidrocentralet në vend me energjinë e importit.

Për energjinë e importuar, shoqëria ka shpenzuar 33.9 milionë euro në një ankand që garanton rrymë për datat 1-31 tetor.

Nga llogaritjet, del që një megavat është blerë për 455 euro, çka rezulton të jetë edhe çmimi i pikut në bursë.

Bashkë me blerjet në muajt paraardhës, fatura që vendi ynë ka paguar për rrymë arrin në 330 milionë euro.

Vetëm për shtatorin, KESH ka shpenzuar 44 milionë euro në treg të huaj, ndërsa që prej fillimit të vitit, fatura e blerjeve mbërrin në 295 milionë euro.

Nga ana tjetër, situata me prodhimin vendas duket e mirë, pasi reshjet e ditëve të fundit kanë rritur nivelin në Firezë rreth 3 metra.

Me çmimet e sotme të tregut kjo prurje energjetike kushton rreth 30 milionë euro, të cilën vendi ynë mund ta shesë apo ta përdorë për nevojat e brendshme.

Për drejtuesit e korporatës, këto janë strategji që i paraprijnë nevojës për të garantuar energji elektrike gjatë dimrit, kur nevoja për konsum do të jetë më e lartë.

Exit mobile version