Kombëtarja e Shqipërisë ka fituar pikët e para në kualifikimet për Kupën e Botës 2026.
Të hënën mbrëma në “Arena Kombëtare” në Tiranë, kuqezinjtë fituan 3:0 ndaj Andorrës. Shqipëria ishte favorite e madhe, kështu që fitorja ndaj Andorrës edhe pritej.
Të përzgjedhurve të Sylvinhos u ka mjaftuar shkëlqimi në pjesën e parë, ndonëse në fushë kanë dominuar edhe në pjesën e dytë.
Rey Manaj i shënoi të dy golat parë të fitores së rëndësishme.
28-vjeçari shënoi për 1:0 në minutën e nëntë. Realizoi me goditje të bukur me kokë, pas krosimit të Kristjan Asllanit nga një goditje dënimi. Për 2:0 Manaj shënoi në minutën e 19-të. Armando Broja kaloi disa lojtarë të Andorrës dhe pasoi për Manajn që goditi saktë nga zona. Manaj tani i ka dhjetë gola për Shqipërinë.
Gola të tjerë nuk u shënuan deri në minutat shtesë, ndonëse Shqipëria dominoi plotësisht. Në minutën e 92-të për 3:0 shënoi Myrto Uzuni. Asistues ishte Arbër Hoxha.
Shqipëria ofroi reagimin e pritur pas paraqitjes së zbehtë të premten në “Wembley” ku humbi 2:0 nga Anglia. Pos që humbën, kuqezinjtë nuk shfaqën thuajse asgjë ndaj Anglisë superiore.
Krejt ndryshe ishte të hënën mbrëma, por kundërshtari natyrisht ishte i nivelit dukshëm më të ulët.
Ndeshjen e ardhshme Shqipëria e ka më 7 qershor. Mund të jetë ndeshja më e rëndësishme e këtij cikli kualifikues. Në “Arenën Kombëtare”, Shqipëria e pret Serbinë, ndoshta rivalen direkte për vendin e dytë në grup.