Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Shqipëria shënon 15-vjetorin e anëtarësimit në NATO

Shqipëria shënon 15-vjetorin e anëtarësimit në NATO

Shqipëria shënon këtë prill 15-vjetorin e anëtarësimit në NATO, ndërkohë vendi vazhdon procesin e modernizimit të forcave të armatosura, si dhe ndërveprimin dhe bashkëpunimin me Aleancën, raporton Anadolu.

Shqipëria gjatë regjimit komunist ishte pjesë e Traktatit të Varshavës, ku ishte anëtarësuar që në vitin 1955, ndërsa u largua nga ky bllok në vitin 1968.

Pas përmbysjes së regjimit komunist në vitin 1991, Shqipëria filloi procesin e bashkëpunimit dhe anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare, përfshirë dhe NATO-n, pasi autoritetet shqiptare përcaktuan orientimin euro-atlantik të vendit.

– Historiku i procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO

Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO ka kaluar në disa zhvillime që përfshijnë nënshkrimin e marrëveshjeve dhe dokumenteve të ndryshme, transformimin e Forcave të Armatosura të Shqipërisë, angazhimin e forcave shqiptare në misione paqeruajtëse dhe angazhimin e institucioneve shqiptare për mbështetjen e politikave të sigurisë të Aleancës.

Procesi i anëtarësimit fillon në vitin 1992, me pranimin e Shqipërisë zyrtarisht në Këshillin e Bashkëpunimit të Atlantikut të Veriut (NACC), që ishte organizmi i parë që krijoi Aleanca për të ndërtuar marrëdhëniet me shtetet që dolën nga regjimet komuniste në Evropën.

Ndër zhvillimet e rëndësishme në këtë proces është ai maji i vitit 2003, kur Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia (sot Maqedonia e Veriut) së bashku me SHBA-në nënshkruan “Kartën Adriatik 3 – SHBA”, që u konsiderua si një nismë që do të përgatiste anëtarësimin e vendeve në NATO.

Shqipëria mori ftesën për anëtarësim në NATO në samitin e Bukureshtit më 2 prill të vitit 2008, ndërkohë më 25 prill të të njëjtit vit Shqipëria filloi zyrtarisht bisedimet për anëtarësimin në Aleancë, që përfshinin disa çështje politike, ushtarake, sigurie dhe ligjore.

Pas përfundimit të ratifikimit të protokollit të anëtarësimit nga të gjitha vendet anëtare dhe depozitimit të instrumentit të aderimit në NATO në Departamentin Amerikan të Shtetit, Shqipëria u anëtarësua zyrtarisht në NATO më 1 prill të vitit 2009, duke u konsideruar nga autoritetet shqiptare si një ndër ngjarjet më të rëndësishme jo vetëm për vendin, por për të gjithë kombin shqiptar.

Shqipëria mori pjesë për herë të parë si anëtare me të drejta të plota e Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior në samitin që u mbajt në Strasbourg/Kehl më 4 prill të vitit 2009, ndërkohë që më 7 prill në selinë e Aleancës në Bruksel u zhvillua ceremonia zyrtare e ngritjes së flamujve të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO.

– Bashkëpunimi Shqipëri-NATO

Shqipëria dhe NATO vazhdojnë bashkëpunimin në disa fusha, me fokus në sektorin e mbrojtjes dhe sigurisë, si dhe mbi mbështetjen nga Aleanca për një reformimin e institucioneve të mbrojtjes në Shqipëri dhe mbi kërcënimet e natyrës kibernetike dhe të tjera.

Që nga anëtarësimi zyrtar 15 vite më parë i Shqipërisë në NATO ka nisur të zbatohet plani i integrimit, që nënkupton reformimin e sektorit të sigurisë e mbrojtjes me qëllim ndërveprimin e plotë me strukturat e Aleancës.

Marrëdhëniet NATO – Shqipëri kaluan në një stad të ri pas vendimit të Aleancës për të ndërtuar një bazë taktike ajrore në Shqipëri, që konsiderohet baza e parë ajrore e NATO-s në Ballkanin Perëndimor.

Më 4 mars 2024, në Kuçovë të Qarkut të Beratit u inaugurua Baza Ajrore Taktike e NATO-s, e vetmja bazë e Aleancës në rajon, që konsiderohet me një rëndësi të re gjeostrategjike për Shqipërinë.

Sipas autoriteteve shqiptare, për bazën në Kuçovë nga NATO janë investuar afërsisht 50 milionë euro dhe më shumë se 5 milionë euro janë të investuara nga Qeveria shqiptare. Projekti në fjalë përfshinte punimet mbi infrastrukturën për kontrollin dhe sigurinë e fluturimeve, pistën, rrugët lidhëse, si dhe asetet e tjera ndihmëse.

Gjithashtu autoritetet shqiptare kanë ftuar NATO-n që të marrë pjesë në një bashkëfinancim për pjesën ushtarake të Portit të Durrësit, për ngritjen e një baze të Aleancës në port. Gjatë inaugurimit të Bazës në Kuçovë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në lidhje me këtë ftesë deklaroi se po punohet ngushtësisht me NATO-n.

Ndërkohë, pas sulmeve kibernetike ndaj Shqipërisë në vitin 2022, NATO ofroi ndihmë për Qeverinë e Shqipërisë në nivel politik dhe teknik, duke dërguar një ekip me qëllimin për të ofruar asistencë në lidhje me çështjet që lidheshin me sulmet kibernetike, si dhe shqyrtimin e mundësive për adresimin e këtyre çështjeve në vazhdim.

Një aspekt tjetër i bashkëpunimit janë edhe operacionet dhe misionet paqeruajtëse. Forcat e Armatosura të Shqipërisë janë angazhuar dhe marrin pjesë në operacione ndërkombëtare dhe në misione të ndryshme jashtë vendit, si pjesë e operacioneve të drejtuara nga NATO, BE, OKB. Ushtarakët shqiptarë janë angazhuar në periudha të ndryshme në dhjetëra misione dhe operacione të ndryshme jashtë vendit, si në Kosovë, Bosnje dhe Hercegovinë, Irak, Çad, Gjeorgji, në Detin Egje, Mali, Afganistan, Sudani i Jugut dhe Letoni.

Sipas autoriteteve shqiptare, modernizimi i Forcave të Armatosura të Shqipërisë vijon me ritme të shpejta, në përmbushje edhe të detyrimeve që vijnë nga anëtarësimi në Aleancë. Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë e ka konsideruar procesin e modernizimit të Forcave të Armatosura si një detyrë parësore e cila buron sipas saj nga programi i Qeverisë së Shqipërisë dhe synimi për të qenë pjesë e integruar e Aleancës.

Ndërkohë, në fillim të muajit mars të këtij viti, dronët turq “Bayraktar” TB2 mbërritën në Shqipëri, duke u bërë pjesë e forcave të armatosura, një produkt i Partneritetit Strategjik Shqipëri-Türkiye dhe në kuadër të modernizimit të Forcave të Armatosura shqiptare si anëtare të NATO-s.

Pjesë e transformimit dhe modernizimit të Forcave të Armatosura të Shqipërisë në vitet e fundit janë edhe kompletimi dhe pajisja me mjetet e ndryshme ushtarake për forcat tokësore, ajrore dhe detare.

Në vitet e fundit Shqipëria i ka kushtuar vëmendje edhe rritjes së buxhetit për mbrojtjen. Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë, gjatë vitit 2024 buxheti i mbrojtjes është në nivelin 2 për qind të PBB-së, sipas kërkesave të NATO, e krahasuar me vitin 2023 është rritur rreth 22 për qind.

Exit mobile version