Kombëtarja e Shqipërisë në futboll e nis në terren neutral edicionin e katërt të Ligës së Kombeve.
Të shtunën, nga ora 20:45, në Pragë të Çekisë, kuqezinjtë luajnë ndaj Ukrainës. Për shkak të luftës, Ukraina ka vendosur ta organizojë në Çeki ndeshjen e parë të Grupit 1 të Ligës B. Në grup janë edhe Çekia e Gjeorgjia. Grupi vlerësohet i vështirë, por te Shqipëria janë të përkushtuar të jenë të suksesshëm. Dhe fillimi i mbarë do të ishte shumë i rëndësishëm.
Ukraina, njëjtë si Shqipëria, u paraqit në “Euro 2024”. Për të dy ekipet kualifikimi në Evropian ishte sukses i madh.
Në “Gjermania 2024” Shqipëria nuk e kaloi grupin, ndonëse u vlerësua për paraqitjet ndaj Italisë e Kroacisë. Tani Shqipëria synon rritjen e mëtejme në edicionin e ri të Ligës së Kombeve.
“Është një grup shumë i vështirë. Katër ekipet bënë një Evropian të mirë. Trajneri i Ukrainës është shumë i zoti, e organizon mirë skuadrën, ka lojtarë shumë të mirë. Janë Sudakov, Mudryk e shumë të mirë. Ukrainasit janë teknikë, shumë fizikë dhe të organizuar. Kanë bërë një Evropian të mirë. Ukrainën duhet ta përballojmë fizikisht, pasi është ekip shumë i mirë dhe teknik”, ka thënë selektori Sylvinho në konferencën për shtyp, të premten.
Ai nuk mund të llogarisë në kapitenin Berat Gjimshiti dhe sulmuesin kryesor, Armando Broja. Të dy janë të lënduar. Por Sylvinho ka thënë se është një mundësi e mirë për lojtarët e tjerë, ata që janë në dispozicion.
Sylvinho është i bindur se entuziazmi do të jetë i duhur te kuqezinjtë.
“Kombëtarja është e hapur për të gjithë. Lojtarët vijnë me shumë dëshirë për të përfaqësuar kombin. Kur nuk ka dëshirë për këtë, nuk mund të japin shumë. Nuk jemi të shqetësuar. Kemi bërë 4 ditë stërvitje dhe janë shumë të motivuar. Jemi të kënaqur me motivimin e lojtarëve”, ka shtuar tekniku brazilian.
Ndonëse ka vlerësuar lart Ukrainën, Sylvinho thotë se lojtarët e Shqipërisë dalin në fushë për fitore.
“Nuk mendoj që ka ndonjë trajner që kënaqet vetëm me një barazim. Ne futemi në fushë për të fituar dhe punojmë vetëm për këtë gjë. Sigurisht që kemi lojtarë të rëndësishëm që na mungojnë, por do të futemi në fushë për të luajtur fort dhe për të marrë rezultatin më të mirë të mundshëm nga kjo ndeshje”.
Mesfushori Ylber Ramadani ka folur për atmosferën në grupin e lojtarëve. Sipas Ramadanit, të gjithë janë të përqendruar për të dhënë maksimumin.
“Atmosfera është fantastike. Jemi shumë të përqendruar, sepse na pret një ndeshje shumë e vështirë. Atmosfera është shumë e mirë. Jemi gati. E kemi studiuar shumë mirë Ukrainën. E dimë se ku është pika më e fortë e saj dhe jemi duke punuar shumë. Shpresojmë që nesër të marrim rezultat pozitiv”, ka thënë Ramadani.
Sipas tij, forca e Shqipërisë është në grupin e lojtarëve e jo në individë të caktuar.
“Do të bëjmë më të mirën për ta fituar këtë grup. Kemi lojtarë cilësorë dhe jemi ekip cilësor. Do të bëjmë gjithçka për të arritur në krye të grupit”, ka thënë Ramadani, që tashmë është prej lojtarëve më të rëndësishëm të Shqipërisë.