Përkundër që ishte përfshirë në listën fillestare të selektorit Sylvinho, mbrojtësi Berat Gjimshiti nuk do të grumbullohet me Kombëtaren e Shqipërisë për ndeshjet e këtij muaji.
Mungesën e kapitenit Gjimshiti, e ka bërë të ditur FSHF-ja me anë të një komunikate të hënën.
“Lista përfundimtare e Kombëtares është me 23 futbollistë pasi trajneri Silvynho dhe stafi teknik kanë vendosur që të mos thërrasin tjetër lojtar në mungesë të Gjimshitit”, ka shkruar FSHF-ja ndër të tjera.
Bëhet e ditur se Gjimshiti nuk ka arritur të rikuperohet me kohë nga lëndimi që e pësoi javën e shkuar dhe për këtë arsye nuk do të jetë në dispozicion të Sylvinhos për dy ndeshjet e këtij muaji.
Shqipëria këtë muaj, do t’i ketë dy ndeshje në kuadër të Ligës së Kombeve dhe të dyja në udhëtim, me Çekinë dhe Gjeorgjinë.
Aktualisht, Shqipëria është e dyta në Grupin B1 të Ligës B me tri pikë të tubuara, tri më paj se Gjeorgjia që i prinë tabelës me dy fitore në po aq ndeshje.
Duelin e parë këtë muaj, Shqipëria e luan të premten me Çekinë kurse tri ditë më vonë përballet me Gjeorgjinë.