Shqipëria, Italia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë firmosur marrëveshjen për lidhjen nënujore energjetike mes Shqipërisë dhe Italisë. Dokumenti u nënshkrua në Abu-Dabi, ku kryeministri Edi Rama ndodhet edhe në kuadër të Javës së Qëndrueshmërisë.
Përmes një video-mesazhi, Rama informoi se pas investimit tripalësh gati 1 miliard euro, Shqipëria do të rritë pavarësinë nga importet e energjisë dhe do të marrë rolin e eksportuesit drejt Bashkimit Europian. Plani është që lidhja të jetë operacionale brenda tri viteve.
“Për pak do të vendosim një tjetër gur kilometrik në rrugën tonë kundrejt pavarësisë energjetike. Së bashku me kryeministren e Italisë, miken e shtrenjtë Giorgia Meloni (lex. Xhorxha) me ftesë të Presidentit të Emirateve të Bashkuara, një tjetër mik i posaçëm Sheiku Mohamed bin Zayed Al Nahyan, finalizojmë marrëveshjen trilaterale për lidhjen nënujore energjetike ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë. Lidhja do të ketë një pronësi të trefishtë dhe do të mbështetet nga investimet domethënëse të përbashkëta në rritjen e kapaciteteve prodhuese të Shqipërisë”, tha Rama.