Ballina Lajmet Shqipëri Shqipëria në sytë e mediave ndërkombëtare

Shqipëria në sytë e mediave ndërkombëtare

Shqipëria është vënë së fundi në vëmendjen e mediave ndërkombëtare si një nga vendet e rekomanduara për t’u vizituar në vitin 2023.

Pas një dokumentari të BBC për bukuritë e Shqipërisë, edhe media prestigjioze franceze “Le Monde” ka publikuar një reportazh për Shqipërinë i fokusuar në zonën e alpeve.

Lajmin e ka bërë të ditur Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në një postim në Facebook.

“Kolosi mediatik francez “Le Monde” i rikthehet Shqipërisë, këtë herë me një reportazh të dedikuar alpeve tona, Thethit e Valbonës, duke përshkruar një “parajsë të vogël e të gjelbër për alpinistët që kërkojnë shtigje që nuk janë as shumë të rrahura”, ka shkruar Rama.

“Edhe nëse të kujton më shumë Pirenejtë, pikërisht me këtë emër njihet ky masiv gëlqeror i Shqipërisë. Një parajsë e vogël e gjelbër për alpinistët që kërkojnë shtigje që nuk janë as shumë të rrahura dhe as shumë të shtrenjta”, e nis reportazhin “Le Monde”.

“Lugina e Valbonës, një park kombëtar 8,000 hektarësh, është më i vizituari nga këto rajone. Alpinistët vijnë nga të gjitha anët: shumë evropianë, por edhe indianë dhe amerikanë”, shton artikulli.

Reportazhi sqaron se pavarësisht imazhit të rënduar nga lajmet për kriminalitetin dhe mafien vendase, Shqipëria po tenton një rikthim turistik, pa dyshim duke shpresuar të zëvendësojë Kroacinë pas pak vitesh.

Exit mobile version