Shqipëria me numër më të madh të të prekurve nga HIV, Kosova me numër të vogël

 Sipas autoriteteve të shëndetësisë në vendet e rajonit, numri më i madh i të prekurve nga virusi HIV është regjistruar në Shqipëri me gjithsej 1.104 raste, pastaj në Maqedoni me 400 raste dhe në Kosovë me 119 raste të këtij virusi, raporton Anadolu Agency (AA).

– Maqedoni, numri i vdekjeve nga virusi HIV në rënie, por numri i të posadiagnostifikuar në rritje

Instituti i Shëndetit Publik të Maqedonisë ka bërë të ditur se në vitet e fundit vdekja e personave me virusin HIV ka shënuar një rënie, por numri i personave të posadiagnostifikuar ka shënuar rritje.

Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik të Maqedonisë, këtë vit janë diagnostifikuar 41 persona me HIV, ndërsa tre persona kanë humbur jetën nga SIDA. Të dhënat e njëjta tregojnë se të gjithë të posadiagnostifikuarit janë meshkuj, ndërsa 82 për qind janë të moshës 20 deri në 39 vjeç.

Nga ky institut bëjnë të ditur se 50 për qind e të posadiagnostifikuarve janë regjistruar në Shkup, ndërsa pjesa tjetër nëpër qendrat në të gjithë vendin.

Ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë, Venko Filipçe, në një ngjarje të organizuar me rastin e 1 dhjetorit, ditës ndërkombëtare kundër HIV/SIDA-s, tha se ministria që ai drejton ka ndarë 37 milionë denarë për terapi antiretrovirale dhe 52 milionë denarë për programet për zbulim të hershëm të infektimit me HIV, të cilat kryhen përmes Klinikës për Sëmundjet Infektive, Institutit për Shëndetin Publik dhe 15 shoqatave qytetare.

Që nga viti 1987, në Maqedoni janë regjistruar 400 raste të HIV-it dhe deri tani 99 njerëz kanë humbur jetën. Statistikat e këtij institucioni tregojnë se 339 raste ose 86 për qind e të diagnostifikuarve brenda vendit janë meshkuj.

– Kosovë, aktualisht ka 36 të regjistruar me HIV/SIDA

Në Kosovë nga viti 1986 e deri më sot janë gjithsej 119 raste të HIV-it nga të cilët 47 kanë përfunduar me vdekje, u tha sot në një konferencë në Prishtinë të organizuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik me rastin e shënimin të 1 Dhjetorit, Ditës Botërore të luftës kundër HIV/SIDA-s.

Zëvendësministri i Shëndetësisë, Ali Berisha, tha se në kohën kur HIV/AIDS trajtohet si epidemi globale me tendencë të rënies së numrit të të prekurve, Kosova vlen për një vend me përhapje të vogël të kësaj sëmundjeje.

“Është fakt se që nga viti 1986, kur u regjistrua rasti i parë, Kosova ka gjithsej 119 raste me 47 të vdekur, ndërsa aktualisht nën kontroll të mjekëve janë 36 pacientë, nga të cilët 32 janë me terapi antiretrovirale”, tha Berisha.

Naser Ramadani, drejtor i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, tha se institucioni të cilin e drejton, në mënyrë të vazhdueshme mbikëqyr situatën epidemiologjike me HIV/SIDA dhe punon në drejtim të parandalimit të përhapjes së tij.

– Shqipëri, 1.104 raste të raportuara me HIV deri në fund të vitit 2017

Në bazë të të dhënave të mbledhura në vend, sipas Institutit të Shëndetit Publik të Republikës së Shqipërisë (ISHP), deri në fund të vitit 2017 janë regjistruar 1.104 raste të raportuara me infeksionin HIV në Shqipëri.

Ky numër përfaqëson rastet e diagnostikuara, ndërkohë sipas këtij institucioni projeksionet vlerësojnë se numri i personave që jetojnë me HIV/SIDA në Shqipëri të jetë 1.500.

Në vitin 2017 numri i rasteve të diagnostikuar me infeksionin HIV është 94. Sa i përket shpërndarjes së rasteve në total me HIV sipas gjinisë 792 raste janë meshkuj dhe 312 raste janë femra të prekur me infeksionin HIV.

Shqipëria i është bashkuar Javës Evropiane të Testimit për Hepatit dhe HIV (23-30 nëntor), që synon ndërgjegjësimin për testimin, parandalimin dhe trajtimin e hershëm të HIV-it.