Kombëtarja e Shqipërisë në futboll, i ka mbyllur përgatitjet për ndeshjen ndaj Çekisë që e luan në kuadër të Ligës së Kombeve.
Të enjten paradite në “Shtëpinë e futbollit” në Tiranë, Shqipëria ka mbajtur seancën e fundit stërvitore dhe pastaj ka marrë rrugën drejt qytetit të Pragës.
Stërvitja e së enjtes zgjati më pak se një orë, ndërsa fokusi i selektorit Sylvinho ishte te loja me top dhe tentimi i skemave të ndryshme të lojës, duke provuar edhe goditjet në portë.
FSHF-ja, ka bërë të ditur se i gjithë grupi “gëzon formë të mirë fizike, nuk ka asnjë lojtar me telashe dhe të gjithë janë të gatshëm për sfidën me Çekinë”.
Dueli mes Çekisë dhe Shqipërisë, luhet të premten prej orës 20:45 në stadiumin “Epet Arena” dhe është i vlefshëm për Grupin B1 të Ligës B.
Si Shqipëria ashtu edhe Çekia, i kanë të grumbulluara nga tri pikë pas dy ndeshjeve të para që i luajtën muajin e shkuar në kampanjën e re të Ligës së Kombeve.
Grupit i prinë Gjeorgjia me 6 pikë, kundërshtar me të cilin Shqipëria do të përballet në Tbilisi, tri ditë pas duelit me Çekinë.