Politologu Afrim Krasniqi ka folur për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe Shqipëri, me ç’rast ka vlerësuar se ka mungesë të koordinimit dhe konsultimeve serioze midis Tiranës dhe Prishtinës.
Ai ka thënë se politikanët tanë në vend se të komunikojnë me njëri-tjetrin nëpërmjet kanaleve zyrtare, komunikojnë nëpërmjet medieve.
Krasniqi në një intervistë për “Epokën e re” ka thënë se Shqipëria e ka detyrim kushtetues ta mbrojë Kosovën dhe interesat kombëtare.
Ish-këshilltari politik i ish-presidentëve, Alfred Moisiu dhe Bamir Topi, është shprehur i pakënaqur me bashkëpunimin aktual në mes të dy shteteve, duke thënë se bilanci real i nivelit të këtij bashkëpunimi duhet ta shqetësojë qeverinë e Tiranës dhe atë të Prishtinës.
Sipas Krasniqit, mbledhjet e përbashkëta të dy qeverive më tepër kanë qenë takime formale për imazh, për media dhe për CV patriotike.