Kombëtarja e Shqipërisë në futboll e ka kthyer shkëlqimin. Pas dy humbjeve rresht, kuqezinjtë të hënën mbrëma shkëlqyen në Tbilisi.
Shqipëria fitoi 1:0 ndaj Gjeorgjisë, për t’iu revanshuar asaj për humbjen që ia shkaktoi më 10 shtator në Tiranë.
Sfida u vendos në minutën e 48-të. Të përzgjedhurit e Sylvinhos bënë aksion model.
Pas një topi të gjatë të Mario Mitajt, Nedim Bajrami fitoi duel në afërsi të zonës gjeorgjiane. Pasoi në zonë për Indrit Tucin, që ktheu topin te Kristjan Asllani që shënoi gol të bukur me goditje nga distanca.
Shqipëria ka pasur raste të mira edhe pas golit për 1:0. Nedim Bajrami gjuajti fare pranë portës, ndërsa Mirlind Daku nuk ishte i saktë me një goditje me kokë.
Ashtu si pritej, Gjeorgjia rriti presionin në minutat e fundit. Por mbrojtja kuqezi ishte kompakte dhe ruajti epërsinë prej 1:0.
Shqipëria tani i ka gjashtë pikë, sa edhe Gjeorgjia e Çekia. Ukraina mbetet me tri pikë. Prej orës 20:45 takohen Ukraina e Çekia.