Shqipëria i ka të mbyllur disa ‘damarë’ të tokës!

Kim Mehmeti

Nipërit e mbesat më pyesin si është e mundur që nga Shkupi në Milot (rreth 300 km udhë) të arrish për tre orë, e nga Miloti deri në Lezhë, (rreth 20 km udhë), me po të njëjtën makinë, të udhëtosh plotë dy orë!?
U them se udhët janë ‘damarët’ e tokës dhe se Shqipëria – ngaqë përpos ‘infarktit’ gjatë kohës se Xhaxhit Enver e ka përjetuar edhe atë të tri dekadave ‘hajdutokrate’ – disa nga ato ‘damarë’, ajo i ka të mbyllur.
Nuk dua t’i ngarkojë me të vërtetën se gjatë demokratizimit të saj, të ‘djathtët’ e Shqipërisë aq shumë e donin Shkodrën, sa rrugët që çonin drejtë saj, si dhe vet atë, nuk i mirëmbanin me investime, por me dashurinë që ia dhuronin.,
Nga ana tjetër, të ‘majtët’ e saj, as që e dinin, e siç duket ende askush nuk u ka treguar, se përpos Jugut, Shqipëria e trye ka edhe Veriun e saj.
Por nipërve e mbesave u them se Shqipëria është më e bukura dhe më e vlefshmja pasuri që kemi, andaj atë duhet dashur si nënën e përvuajtur që e kanë dhunuar të gjithë rrugaçët e lagjes së quajtur Ballkan.
Sidoqoftë më në fund arrijmë në bregdet ku i harrojmë të gjitha vuajtjet dhe ku na miklon e vërteta se bregdeti shqiptarë është aq i bukur sa do mëkatonim nëse atë do e ndërronim me cilindo tjetër të kësaj bote.

Nga: Kim Mehmeti