Kombëtarja e Shqipërisë gjatë ditës së sotme do të udhëtoj drejt Pragës, aty ku do ta zhvilloj ndeshjen e parë në Ligën e Kombeve kundër Ukrainës në stadiumin “Epet Arena”.
Para nisjes për në Çeki, ku Ukraina do të jetë vendase, futbollistët e Shqipërisë kanë shprehur synimet e tyre për këtë ndeshje.
Qazim Laçi dhe Marash Kumbulla, kanë folur për përgatitjet gjatë këtij grumbullimi, i cili ka nisur të hënën.
Po ashtu, Laçi ka thënë se përballja me Ukrainën do të jetë e veçantë për të, duke pasur parasysh se do të luhet në stadiumin e klubit të tij, Sparta Pragës.
Mesfushori vlerësoi lartë Ukrainën, por edhe Gjeorgjinë, kundërshtarë me të cilin Shqipëria do të përballet javën e ardhshme në stadiumin “Air Albania” në Tiranë.
“Me padurim po e presim sezonin e ri në Ligën e Kombeve dhe e kemi për detyrë të bëjmë më të mirën pas paraqitjeve në Evropian. Si Ukraina ashtu edhe Gjeorgjia janë kundërshtar të fortë pasi ishin pjesë e Evropianit dhe ne kemi nevojë për mbështetjen e tifozëve në të dyja ndeshjet për të pasur një start të mirë në këtë kompeticion”, ka thënë Laçi.
Ndërkohë, Kumbulla shtoi se ndeshja me Ukrainën do të jetë e vështirë por insistoi se Shqipëria do të futet në fushë vetëm për fitore. Ai tha se ekipi është gati për Ukrainën, ndërsa kërkoi nga tifozët që për duelin me Gjeorgjinë ta mbushin stadiumin.
“Janë kundërshtarë shumë të vështirë, sidomos Ukraina. Si gjithmonë do të futemi në fushë për të fituar kurse me Gjeorgjinë i kemi edhe tifozët pasi luajmë në shtëpi. Jemi stërvitur mirë dhe besoj se grupi është gati për të dyja ndeshjet”, është shprehur Kumbulla.
Ndeshja Ukrainë – Shqipëri, luhet të shtunën prej orës 20:45 dhe i takon Grupit 1 të Ligës B të Ligës së Kombeve, të cilin e përbën edhe Çekia.
Ndërkohë, tri ditë pas duelit me Ukrainën, Kombëtarja shqiptare do të përballet me Gjeorgjinë në Tiranë.