Shqipëria e futbollit mban frymën sonte në mbrëmje në një 90 minutësh vendimtar për të ardhmen e kuqezinjve.
Strumica me një stadium disi anormal do të presë në orën 20:45 një ndeshje jetike për fatet e Grupit G ku Maqedonia ka rihapur çështjen e vendit të tretë, ndërsa Shqipëria do të kërkojë të hedhë një tjetër hap drejt konsolidimit të pozitave që ka në këtë grup.
Një ndeshje me shumë pikëpyetje dhe shumë të panjohura. Qyteza në kufi me Bullgarinë do të mbajë një peshë të madhe në aspektin sportiv por edhe emocional sepse një sfidë e tillë, edhe nëse nuk llogariten pozitat në klasifikim, mbetet përherë e tensionuar për shkak të dhjetëra faktorëve.
Fqinjët e Maqedonisë kërkojnë revansh për atë humbje në minutat shtesë të një viti më parë në “Loro Boriçi”, ndërsa kuqezinjtë do të kërkojnë rrugën e vazhdimësisë për t’u konfirmuar fuqia e tretë e grupit me një sy nga Italia që vështirë se mund të gabojë në sfidat e mbetura, transmeton SS.
Dueli delikat do të pasqyrojë pjesërisht edhe filozofinë e injektuar nga trajneri Christian Panucci te ekipi që e mori në dorëzim vetëm pak javë më parë. Fitorja me Lihtenshtejnin tregoi edhe një herë se në nivel kombëtaresh nuk ka asnjë ndeshje të lehtë dhe Maqedonia nuk është aspak një kundërshtar për t’u nënvlerësuar.
Këtë nuk e thonë vetëm statistikat por edhe ecuria e kombëtares së vendit fqinjë në sfidat eliminatore që kulmuan me atë fitore të rëndësishme në Haifa kundër Izraelit. 6 pikë i ndajnë dy skuadrat në klasifikim por llogaritë bëhen me laps e letër dhe virtualisht Maqedonia është vetëm tre pikë larg pasi ka ende edhe një sfidë me Lihtenshtejnin.
Kombëtarja Shqiptare, si rrallëherë ka zbarkuar në vendin fqinjë me petkun e skuadrës favorite, jo vetëm për atë kualifikim historik në Evropian, gjë të cilën Maqedonia nuk e ka arritur ende, por edhe për faktin se në grupin e saj ka lojtarë që militojnë në disa nga kampionatet më të rëndësishëm të kontinentit.
Edhe pse Panucci ka në dispozicion vetëm Armando Sadikun si zgjedhje të vetme në majën e sulmit, armët fatale nuk i mungojnë kësaj skuadre që di të vuajë edhe në momentet më të vështira. Dy fitore rresht kanë ngritur jo vetëm moralin e kuqezinjve, por kanë treguar forcën e vërtetë të kësaj skuadre që ka arritur të gjejë ekujlibrat. Në krahun tjetër, Maqedonia është ende në udhëkryqe mes një gjenerate të vjetër dhe integrimit të një brezi të ri, por përherë e gatshme për të surprizuar. Rreth 500 shpirtra kuqezi do të rrahin në shkallët e stadiumit “Mlladost” të Martën në mbrëmje, por Shqipëria do të luajë edhe për ata qindra-mijëra shqiptare që jetojnë në Maqedoni, prandaj kjo për djemtë e Panuccit nuk është një ndeshje si gjithë të tjerat.