Shqipëria përgjithësisht është nga fundi për çdo renditje, si p.sh. për të ardhurat për frymë, për cilësinë e ajrit, për keqqeverisjen, për ambientin për të bërë biznes e kështu me radhë.
Por, ka një renditje ku ne “shkëlqejmë”, atë të kafeneve, – që i gjen me shumicë dhe shpesh të mbushura plot në çdo cep të kryeqytetit dhe të Shqipërisë – për numër popullsie. Sipas të dhënave më të fundit të Anketës Strukturore të INSTAT-2016, në Shqipëri numri i bar-kafeve e restoranteve arriti në 18,795 (14,200 bare dhe 3,965 bar restorante), me një rritje prej 6.3% në raport me vitin e mëparshëm (janë hapur rreth 1200 bar-kafe të reja në një vit dhe janë mbyllur 96 bar-restorante)
Në raport me popullsinë prej 2.87 milionë banorësh, në Shqipëri ka 654 bar-kafe për 100 mijë banorë, sipas përllogaritjeve të “Monitor”, ose 1 bar kafe për 152 banorë.
Shqipëria ia kaloi në 2016-n edhe Spanjës, e cila deri tani mbante rekordin në Bashkimin Europian (BE) dhe në botë për numrin e lartë të bar-kafeve për banorë, me 592 bar kafe për 100 mijë banorë, ose një bar-kafe për 169 banorë, sipas një studimi të fundit të BE. Deri një vit më parë, Shqipëria ishte në vend të dytë në botë pas Spanjës, por në Spanjë katër vitet e fundit janë mbyllur rreth 70 mijë bare e restorante për shkak të krizës, sipas mediave spanjolle (Spanja ka 47 milionë banorë).
Në Shqipëri ka ndodhur e kundërta. Në katër vjet 2013-2016, sipas të dhënave të INSTAT, janë hapur 4,569 bar-kafe dhe 1,160 bar-restorante të reja (shiko grafikun për tendencën e çdo viti), ndërkohë që popullsia është në tkurrje. Me krizë apo pa krizë, baret vazhdojnë të hapen, njerëzit vazhdojnë t’i frekuentojnë, duke bërë që të huajt të habiten me numrin e madh të tyre dhe kohën që shqiptarët shpenzojnë në to sidomos përgjatë ditës.
Nëse bëhet sërish një krahasim me Spanjën, baret atje janë të përhapura në zonat turistike, p.sh., në Gran Canaria, ka 547 pabe dhe kafe për vetëm 23,000 rezidentë – pra një për çdo 43 persona. Në Shqipëri janë në mes të qytetit dhe më shumë se gjysma në kryeqytet.
INSTAT raportoi se në Shqipëri ka gjithsej 108 mijë biznese aktive, dhe bar-restorantet përbëjnë rreth 17.5% të tyre. Kapaciteti total i gjithë bareve e restoranteve në Shqipëri është 726 mijë vende (28% e tyre në restorante), çka do të thotë që në gjithë baret e restorantet e vendit mund të ulet njëkohësisht më shumë se një e katërta e popullsisë së vendit.
Hapja e bareve e kafeneve ka qenë një alternativë e lehtë biznesi për këdo, pas viteve ’90. Të hapje një bar-kafe, edhe poshtë pallatit, ka qenë forma më e thjeshtë që shumë shqiptarë menduan të bënin para, apo thjesht edhe të mbijetonin. Ndonëse shumë falimentojë, edhe më shumë hapen të reja.
Në Europë, pas Spanjës dhe Shqipërisë, për nivel të lartë baresh renditet edhe Qipro, me rreth 470 bare për 100 mijë banorë (edhe në Qipro ka pasur mbyllje për shkak të krizës).
Në fqinjin Itali, sipas FIPE (Federazione Italiana Pubblici Esercizi) ka rreth 250 bar-kafe për 100 mijë banorë, apo gati sa gjysma e Shqipërisë. Pjesa më e madhe e bareve e restoranteve përqendrohen në qendër të qytetit, ku është përqendrim i lartë i turistëve, por vështirë të gjesh një bar në çdo cep, siç ndodh në Shqipëri.
Në Amsterdam ka 63.5 bare për 100 mijë banorë, sipas Trade Association for Horeca and Catering, në Berlin 36, në Bruksel 148.3, në Londër 32, në Stamboll vetën 2.1, në Nju Jork 32.5, në Paris 27.2, Stokholm 19.1, në San Paolo 133.3. Më i lartë është në Seul me 186.4, Tokio 216.5, Rio De Janerio 191 etj. Në botë, bar-kafetë po ndryshojnë përtej tradicionales, për t’iu përshtatur shijeve të reja të konsumatorëve. Shumë po ofrojnë mëngjes, lëngje frutash e perimesh dhe të kombinuara, produkte pa gluten, ushqim vegjetarian dhe vegan, xhin të specializuar, kokteje, birrë artizanale, etj.
Edhe në Shqipëri ka disa tendenca për të futur risi, si lokalet e ëmbëlsirave, apo yogurt, lëngjet e koktejet, lokale të specializuara për lëngje të freskëta, por në pjesën më të madhe ato mbeten tradicionale, ku produkti më i konsumuar është kafeja, që kushton mesatarisht 60-80 cent të euros, ndër më të lirat në Europë. Linjat e lokaleve me hapësira të mëdha, po zgjerohen gjithashtu, duke u bërë më të preferuara në krahasim me baret e vogla të lagjeve.
19 shkurt 2018 (gazeta-Shqip.com)/Monitor