“Shqipëria do të vazhdojë mbështetjen për integritetin territorial të Kosovës”

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, njëherësh kryetare e Kuvendit, Vjosa Osmani, po zhvillon vizitë zyrtare treditore në Shqipëri, ndërkohë ajo është pritur me ceremoni shtetërore nga presidenti Ilir Meta, raporton Anadolu Agency (AA).

Meta dhe Osmani pas takimit kokë më kokë dhe mes delegacioneve kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për mediat, duke u fokusuar në çështjet e bashkëpunimit mes dy vendeve, procesin e integrimit evropian dhe në aspektet mbështetjes së Shqipërisë për Kosovën.

“Vlerësuam të gjitha mundësitë që e bëjnë edhe më konkret bashkëpunim midis dy vendeve tona, veçanërisht nëpërmjet konkretizimit të partneritetit strategjik, në mënyrë që të jemi një shembull edhe për sa i takon standardeve të demokracisë, por njëkohësisht për sa i takon përparimit të procesit të integrimit evropian në rajonin tonë. Marrëdhëniet shumë të mira ndërshtetërore kanë nevojë të gjenerojnë edhe më shumë mundësi praktike në mënyrë që kufiri ndërshtetëror të bëhet jo vetëm i padukshëm, por edhe qytetarët tanë, bizneset, artistët, sportistët, intelektualët, të rinjtë tanë edhe më shumë të afrohen dhe shkëmbejnë eksperienca me njëri-tjetrin”, u shpreh Meta.

Presidenti Meta theksoi se ka siguruar Osmanin se Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës, sepse, sipas tij, “jemi të bindur jo vetëm në legjitimitetin e saj të plotë ndërkombëtar, por edhe për faktin se një Kosovë me integritet të plotë territorial, sa më parë anëtare e OKB-së i shërben sigurisë dhe zhvillimit të rajonit dhe njëkohësisht edhe të gjitha vendeve tona”.

“Vlerësova qëndrimin dinjitoz dhe shpreha mbështetjen time ndaj ish-drejtuesve të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si dhe gatishmërinë e plotë të tyre për t’u përballur me drejtësinë në mënyrë për të konfirmuar edhe një herë drejtësinë e luftës së popullit të Kosovës përballë gjenocidit monstruoz serb në zemër të Evropës”, tha më tej presidenti i Shqipërisë.

Duke iu referuar pandemisë COVID-19, Meta tha se kanë treguar vullnetin dhe gatishmërinë për të bashkëpunuar më ngushtë midis dy vendeve, në mënyrë që, sipas tij, “ta kapërcejmë me një kosto sa më të lehtë këtë betejë të përbashkët madhore”.

“Rruga e Kosovës ka qenë gjithnjë përplot sfida”

Omani theksoi gjatë konferencës se me presidentin Meta kanë diskutuar për bashkëpunimin në shumë fusha, që nga ekonomia deri te menaxhimi i pandemisë. Ajo tha se diskutuan se si të bëhet më efektiv bashkëpunimi në aspektin e fuqizimit ndërkombëtar të Kosovës.

“Rruga e Kosovës ka qenë gjithnjë përplot sfida. Ka qenë përplot sfida i gjithë procesi ynë i shtetndërtimit, por Shqipërinë gjithnjë e kishim në krah. Dhe tani është përplot sfida rruga jonë tutje kur para syve tanë po tentohet të përmbyset e vërteta. E vërteta është që në Kosovë është Serbia ajo që ka kryer gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Nuk ka një të vërtetë tjetër dhe këtë të vërtetë e ka parë e gjithë bota mbarë me sytë e vet, sepse ka ndodhur para syve të botës. Por në mënyrë që të mos lejojmë që të përmbyset e vërteta, ne sërish kemi nevojë për ndihmën e madhe të Shqipërisë, kemi nevojë që Shqipëria të na qëndrojë pranë”, u shpreh Osmani.

Ndër çështjet e tjera ajo përmendi edhe kërkesën që Kuvendi i Shqipërisë të miratojë rezolutën që do të dënonte, sipas saj, gjenocidin serb në Kosovë.

“Çështja tjetër që e falënderova presidentin Meta ishte për qëndrimin tij të prerë kundër idesë së tmerrshme dhe aventurës së rrezikshme për ndryshim kufijsh. Biseduam për procesin integrues në BE. Në të njëjtën kohë për ne është po aq i rëndësishëm integrimi në NATO”, tha Osmani.

Në ditën e parë të vizitës, Osmani fillimisht ka vizituar qytetin e Lezhës, ku ajo është pritur nga kryebashkiaku Pjerin Ndreu dhe më pas ka vizituar memorialin e Skënderbeut në këtë qytet.

Gjatë vizitës, Osmani do të takohet edhe me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, kryeparlamentarin Gramoz Ruçi dhe do të mbajë një fjalë përshëndetëse në seancën e Kuvendit të Shqipërisë.

Është paraparë që ajo të takohet edhe me kryetarin e Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, me kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, dhe ish-presidentin dhe ish-kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha.