Ministri i Ministrisë për Forcën e Sigurisë të Kosovës,Haki Demolli,është pritur sot me nderime të larta ushtarake në vizitë zyrtare në Tiranë, nga ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli.
Të dy ministrat fillimisht, diskutuan për çështje të interesit të përbashkët dhe për Planin e Bashkëpunimit Dypalësh në mes të Ministrisë së FSK-së dhe Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Shqipërisë.
Gjithashtu, Ministri Demolli dhe ministrja Kodheli, biseduan edhe për zhvillimet e fundit të sigurisë në Republikën e Kosovës dhe në veçanti për situatën e krijuar në kufijtë veriorë të saj. Në takim u fol gjithashtu edhe për dyfishimin e numrit të ushtarakëve shqiptarë që janë pjesë e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR-it.
Po ashtu, në takim u bisedua edhe për vizitën e fundit të Stoltenberg, respektivisht sekretarit të NATO-s që i bëri Kosovës, ditët e kaluara, ku u theksua nga ana e Stoltenberg përkrahja e vazhdueshme, të cilën po jep NATO në sigurimin e paqes në Kosovë dhe u theksua se edhe në të ardhmen trupat e KFOR-it do të qëndrojnë dhe do t’i ofrojnë një siguri të plotë Republikës së Kosovës.
Pas takimit mes dy ministrive u firmos edhe Plani i Bashkëpunimit Dypalësh për vitin 2017, i cili fokusohet në stërvitjet dhe trajnimet e përbashkëta.
Nga ana e tij, Ministri Haki Demolli, para medieve në Tiranë, tha se ka falënderuar ministren e Republikës së Shqipërisë shtet, i cili në vazhdimësi është duke përkrahur paqen dhe sigurinë në Kosovë si edhe është duke përkrahur zhvillimin dhe avancimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës.
Më tej, Ministri Demolli tha se:”Qëllimi kryesor i vizitës sonë respektivisht edhe i këtij takimi ishte analizimi dhe vlerësimi i bashkëpunimit të deritanishëm dhe sidomos ishte mundësia e identifikimit të këtij bashkëpunimi për çka të dy palët u pajtuan që edhe në vitet e ardhshme, duke filluar nga viti 2017 e tutje këtë bashkëpunim ta zhvillojmë në të gjitha segmentet e mundshme”.
Në fund, ministri i FSK-së, zotëri Haki Demolli tha se bashkërisht konstatuam që grupet bashkëpunuese të dy ministrive edhe gjatë vitit 2016, kanë realizuar dhe përmbushur të gjitha aktivitetet e planifikuara në planin e veprimit të vitit 2016 si dhe u pajtuam dhe e nënshkruam planin e veprimit për vitin 2017, ku me detaje parashtrohen aktivitetet ndërmjet dy ministrive.
Në përfundim të takimit para përfaqësuesve të mediave, ministrja Kodheli, tha: “me ministrin e Forcës së Sigurisë të Kosovës, Haki Demolli, zhvilluam një bisedë lidhur me marrëdhëniet dypalëshe, lidhur me situatën në Ballkanin Perëndimor dhe sigurisht me gjithë problematikën e këtyre ditëve të fundit që lidhen ngushtësisht me të ardhmen tonë të përbashkët, me të ardhmen euroatlantike të Kosovës, padyshim me të ardhmen evropiane të Shqipërisë, me forcimin e marrëdhënieve për sa i përket sigurisë së kufijve, sigurisht qytetarëve, qofshin këta të Shqipërisë apo Kosovës”.
Shqipëria shtoi Kodheli, ndjek me vëmendje zhvillimet në Kosovë dhe padyshim në mënyrë të veçantë, situatën e krijuar në kufijtë veriorë të saj. Historia e Kosovës ka qenë dhe mbetet një histori suksesi e botës demokratike dhe në mënyrë të veçantë e Aleancës së Veriut. Konsolidimi i shtetit të Kosovës dhe paprekshmëria e kufijve kushtetues është në fakt prioritet i axhendës sonë të përbashkët dhe ishte, le të themi, ajo çka në mënyrë eksplicite u bisedua midis nesh dy delegacioneve.
Ministrja e Mbrojtjes e Republikës së Shqipërisë, Mimi Kodhelin ë fund tha se ,,me ministrin Demolli biseduam edhe për bashkëpunimin dypalësh, i cili tashmë është konkret, i hapur dhe i zhveshur nga çdo procedurë burokratike. Kemi firmosur planin e Bashkëpunimit për vitin 2017, me synim që aktivitetet e përbashkëta të fokusohen sidomos në stërvitje e trajnime të përbashkëta. Programet mësimore ushtarake të të gjitha niveleve, janë plotësisht të hapura për personelin e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe marrëdhënia në këtë fushë ka qenë absolutisht frytdhënëse dhe e shkëlqyer’’.
Pjesë e delegacionit të ministrit, gjatë vizitës në Ministrinë e Mbrojtjes të Republikës së Shqipërisë ishin edhe ambasadori i Republikës së Kosovës, Sylë Ukshini, Sekretari i përgjithshëm i MFSK-së, Shkelzen Sylaj, drejtori i Departamentit për Operacione dhe Trajnime në MFSK, gjeneral brigade Nazmi Brahimaj, atasheu i Mbrojtjes nënkolonel Enver Dugolli, nënkolonel Ali Krasniqi, ushtrues detyre i drejtorit të Departamentit për bashkëpunim e Siguri në MFSK, si dhe shefi i kabinetit të Ministrit Demolli, Latif Leka.