Shqipëria dhe Kosova do të intensifikojnë bashkëpunimin për reformat në sistemin e drejtësisë

Mes Shqipërisë dhe Kosovës do të intensifikohet bashkëpunimi për procesin e reformave në sistemin e drejtësisë, u theksua sot gjatë deklaratës për media të ministres së Drejtësisë të Republikës së Shqipërisë, Etilda Gjonaj, me homologun e saj të Kosovës, Selim Selimi, raporton Anadolu Agency (AA).

Gjonaj dhe Selimi realizuan një takim në Tiranë, në kuadër të vizitës zyrtarë në Shqipëri të ministrit kosovar, ndërkohë në deklaratën e tyre u fokusuan në çështjet e bashkëpunimit në sistemin e drejtësisë, përgatitjet për një marrëveshje mes dy ministrive dhe çështje të tjera.

Ministrja Gjonaj tha se gjatë takimit kanë diskutuar për reformat dhe prioritetet e dy ministrive dhe për intensifikimin e bashkëpunimit.

“E përgëzova ministrin për marrëveshjen që kanë firmosur në Washington dhe gjitha rezultatet pozitive që kanë pasur deri tani dhe me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje me Serbinë”, u shpreh ajo.

Delegacioni kosovar i kryesuar nga kryeministri Avdullah Hoti bashkë me atë serb të kryesuar nga presidenti Aleksandër Vuçiq, nënshkruan marrëveshje e cila u konsiderua historike më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë, për normalizim të marrëdhënieve ekonomike.

“Unë besoj se së bashku me ministrin Selimi do të kemi jo vetëm një bashkëpunim, por edhe një komunikim shumë më të mirë, shumë më të afërt me qëllim për të ndihmuar njëri-tjetrin, për të shkëmbyer eksperiencat, por njëkohësisht edhe për të patur mundësinë e realizimit të aspiratës së përbashkët për integrimin në Bashkimin Evropian”, shtoi Gjonaj.

Duke iu referuar reformës në sistemin e drejtësisë që po zbatohet në Shqipëri, Gjonaj theksoi se “po japim shembullin njëkohësisht edhe për ministrinë e Kosovës dhe u dakorduam që te kemi një bashkëpunim pikërisht në këtë prioritet të ri që Ministria e Drejtësisë së Kosovës ka ndërmarrë lidhur me reformimin e sistemit të drejtësisë”. 

“Jemi dakorduar që të intensifikojmë bashkëpunimin”

Ministri Selimi tha se Kosova ka shumë punë për të bërë dhe shtoi se “Ne kemi filluar reformën në sistemin civil, në sistemin penal, kemi filluar gjithashtu që të mendojmë për skenarë tjerë të llogaridhënies, siç është ai i vetingut.”

“Jemi dakorduar që të intensifikojmë bashkëpunimin i cili ka ekzistuar edhe më herët, por që ta intensifikojmë me grupe ekspertësh, me shkëmbim të përvojave veçanërisht në fushën e sistemit reformues. Mendoj që reforma e mirëfilltë nuk mund të bëhet pa i marrë vendimet e vështira dhe të mundimshme”, tha Selimi.

Ai theksoi se faktori shqiptar, qoftë në Kosovë, në Shqipëri, në Maqedoni të Veriut dhe në Luginën e Preshevës është duke u faktorizuar shumë e më shumë dhe sipas tij ky faktorizim do të thotë pjesëmarrje e përbashkët në vlera proevropiane dhe euroatlantike.

“Ne u pajtuam që ekspertët tanë të bëjnë punën përfundimtare për të lidhur marrëveshjen e cila do të bëhet gjatë mbledhjes së dy qeverive. Gjithashtu u pajuam me ministren që të intensifikojmë bashkëpunimin e reformave në drejtësi kundrejt integrimit evropian. Shqipëria ka bërë hapa konkretë në këtë rrugë dhe Kosova do të reflektojë mësimet më të mira në reformë, në mënyrë që t’i arrijmë standardet evropiane”, theksoi ministri Selimi.

Brenda këtij muaji pritet që të zhvillohet mbledhja e përbashkët midis qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës.