Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj dhe kryeministri Edi Rama kanë reaguar për shpërthimin e fundit në veri të Kosovës, duke dënuar “aktet terroriste me lëndë eksplozive”, transmeton Anadolu.
Në një njoftim nga Presidenca e Shqipërisë thuhet se presidenti Begaj zhvilloi një bisedë telefonike me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.
Gjithashtu thuhet se Begaj “dënoi ashpër aktet terroriste me lëndë eksplozive mbi Kanalin e Ibër-Lepenic që synojnë shkatërrimin e infrastrukturës kritike të Kosovës e cenon sigurinë kombëtare të Kosovës”.
Në njoftim theksohet se presidenti Begaj mbështet fuqishëm të gjitha përpjekjet e Kosovës për përballimin e situatës dhe “hetimin e ndëshkimin e plotë të këtij akti sabotues e terrorist”.
Po ashtu edhe kryeministri Rama në një reagim në rrjetet sociale thekson se akti i sabotimit mbi infrastrukturën kritike të furnizimit me ujë në kanalin e Ibër Lepencit është një krim i rëndë, i cili sipas tij cenon jetën e qytetarëve të Kosovës dhe godet procesin e normalizimit të marrëdhënieve në rajon, “ku të gjitha shtetet janë të përfshira në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian (BE)”.
Rama ka shtuar se kjo “goditje kriminale” duhet zbardhur e ndëshkuar sa më parë me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë.
“Ndërkohë BE-ja duhet të heq menjëherë sanksionet e mbetura ndaj Kosovës dhe të riangazhohet në një format të ri dialogu për normalizim mes Kosovës dhe Serbisë. Formati ekzistues ka dështuar të prodhojë rezultatet e dëshiruara dhe është koha që çështjet e dialogut të kalojnë përmes marrëdhënieve bilaterale të BE-së me Kosovën apo Serbinë, si dy shtete njësoj të pavarura prej njëra-tjetrës, ku fati evropian i secilit shtet s’mund të varet nga dëshirat a mosdëshirat e shtetit tjetër; ashtu sikundër fati evropian i krejt rajonit s’mund të varet nga mosnjohja e Kosovës nga Serbia apo 5 shtete anëtare të BE-së”, ka shkruar Rama.
Mbrëmë, në fshatin Varagë të Zubin Potokut ndodhi një shpërthim i fuqishëm me dëme të shkaktuara në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit, ku u raportua se dyshimet janë që shpërthimi ka pasur për qëllim dëmtimin e infrastrukturës kritike të Kosovës në mënyrë që të pengohet rrjedha e ujit që përdoret për ftohje në procesin e prodhimit të rrymës në termocentralet Kosova A dhe Kosova B.
Sipas autoriteteve kosovare, shpërthimi dhe dëmtimi i kanalit të ujit në veri të Kosovës është “akt terrorist”.