Është tensionuar situata në hyrje të Parlamentit. Protestuesit, të cilëve iu janë bashkuar edhe deputetët e opozitës, kanë tentuar të çajnë kordonin e policisë, ndërsa më pas kanë nisur të hedhin tymuese.
Ndërkohë, mësohet se një efektiv policie është lënduar.
Protestuesit janë mbledhur këtë të hënë përballë parlamentit, aty ku ishte parashikuar të mbahej seanca plenare. Megjithatë, ajo është ndërprerë, pasi për shkak të një defekti ka ikur energjia në sallën e Kuvendit.
Deputeti Luçiano Boçi pretendon se masa që u mor nga Këshilli i Etikës për përjashtimin me 10 ditë të 8 deputetëve opozitarë ishte disiplinore dhe jo ndaluese.
Sipas Boçit, në këto 10 ditë përjashtim deputeti nuk merr pagën dhe nuk lejohet të kërkojë fjalë, por mund të ndjekë punimet e kuvendit.
Ai shtoi se tashmë parlamenti është policor dhe ka si qëllim të dënojë opozitën.
“Masa ndaj nesh është disiplinore dhe jo ndaluese. Nuk merr pagën dhe nuk i konsiderohet aktiviteti parlamentar. Sipas logjikës së tyre duhet të mos takojmë as njerëzit. Nuk ka ndalim fizik. Unë nuk kam të drejtë të kërkoj fjalën për procedurë dhe të jap mendime në këto 10 ditë. Deputetët mund të ndjekin seancën. Nëse e thyen disiplinën, ka masë tjetër ndaj deputetit. Vendimi për përjashtimin tonë u mor në shkelje. Ky është një parlament policor, ka vrarë fjalën e lirë që synon të dënojë opozitën. Nuk ndodh në asnjë parlament që të përjashtohen 8 deputetë”, dejkariu Boçi.