Ballina Lajmet Shqipëri, shtyhen pa afat masat kundër COVID-19

Shqipëri, shtyhen pa afat masat kundër COVID-19

Në Shqipëri janë shtyrë pa afat masat kundër përhapjes së koronavirusit të ri (COVID-19), një pjesë e të cilave përfundonin sot, transmeton Anadolu Agency(AA).

Komiteti Teknik i Ekspertëve ka vendosur se do të vazhdojë të jetë në fuqi kufizimi i lëvizjes së qytetarëve dhe kufizimi i aktivitetit të bareve dhe restoranteve nga ora 22:00-06:00.

Sipas këtij komiteti, përjashtim nga kufizimi i lëvizjes do të ketë për raste të emergjencave dhe për arsye të punës, ndërkohë edhe administrata publike do të vazhdojë të punojë online.

Në vend do të vijojnë të jenë të ndaluara grumbullimet me mbi 10 persona në vende të hapura dhe të mbyllura, tubimet, konferencat dhe ceremonitë e festave.

Gjithashtu universitetet do të vazhdojnë mësimin online, ndërkohë institucionet e arsimit parauniversitar do të vazhdojnë mësim të alternuar, me praninë fizike të nxënësve dhe online.

Drejtuesja e Komitetit Teknik të Ekspertëve, Mira Rakacolli, në një deklaratë për mediat tha se masat në fjalë do të jenë pa afat dhe do të analizohet situata epidemiologjike në vazhdim.

“Duhet theksuar që kjo situatë është dinamike. Nëse kjo situatë dinamike do të rëndohet mund që të vlerësojmë edhe masa të tjera shtesë”, tha Rakacolli.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka konfirmuar se që nga fillimi i pandemisë në Shqipëri janë regjistruar gjithsej 39.014 raste pozitive me COVID-19, mes tyre 822 persona kanë ndërruar jetë dhe 19.384 janë shëruar.

Exit mobile version