Efektet e sulmeve kibernetike nuk janë vetëm në sistemet kompjuterike, ato shoqërohen me efekte në ekonomi, por edhe jetën shoqërore për shkak se paralizojnë një pjesë të sistemeve, thotë zonja Faber.
Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike në Shqipëri është përqendruar në mbrojtjen e infrastrukturave kritike nga sulmet kibernetike, tha sot zv. drejtoresha e autoritetit, Floreta Faber gjatë një takimi ndërgjegjësues me administratën vendore në Shkodër.
Shqipëria ka 159 infrastruktura kritike dhe numri i tyre po rritet me shpejtësi gjë që, sipas saj, kërkon shtimin e kapaciteteve njerëzore për të përballuar sulmet kibernetike që vijnë nga shtete të ndryshme.
“Shqipëria është gjithmonë në vazhdën e sulmeve kibernetike, sulme të sponsorizuara nga disa shtete. Janë rreth 49 sulme që kanë penetruar vitin e kaluar, kanë arritur që të kalojnë sistemet mbrojtëse, por këto sulme janë përballuar me shumë sukses. Dhe ka mbi 20 sulme kibernetike të realizuara gjatë këtij vitit”, tregon ajo.
Rreth 70 përqind e sulmeve kibernetike vijnë për shkak të gabimeve njerëzore. Ndaj, tha zonja Faber, autoriteti ka trajnuar deri tani rreth 1700 punonjës të nivelit vendor për mbrojtjen nga sulmet kibernetike.
Ndërsa për ekspertin ndërkombëtar në fushën e sigurisë kibernetike, Besnik Limaj, zgjerimi i infrastrukturës kibernetike kërkon që institucionet të kenë ekipet e tyre mbrojtëse në fushën e sigurisë kibernetike.
“Shqipëria ka një ekip kombëtar që është në kuadër të Autoritetit Kombëtar të Sigurisë Kibernetike. Por, kisha inkurajuar të gjithë institucionet e tjera që të bëjnë të pamundurën dhe të krijojnë grupet e tyre sektoriale”, thotë ai.
Efektet e sulmeve kibernetike nuk janë vetëm në sistemet kompjuterike, ato shoqërohen me efekte në ekonomi, por edhe jetën shoqërore për shkak se paralizojnë një pjesë të sistemeve, thotë zonja Faber.
“Kemi qenë të gjithë pjesë e 2022-shit. Kemi kuptuar që, mosfunksionimi i një pjese të mbi 1200 shërbimeve online që ofron qeveria shqiptare u bë që të moslejohej sulmi të përhapej më tej. Dhe, është puna e jashtëzakonshme, që është bërë këto dy vite, e cila ka bërë të mundur që tashmë ne t’i përballojmë këto sulme kibernetike”.
Pas sulmeve kritike të vitit 2022, Shqipëria ka rritur me shpejtësi masat në fushën e sigurisë kibernetike duke shtuar kapacitetet dhe bashkëpunimin ndërkombëtar, gjë që u reflektua në ngjitjen me 23 vende në indeksin global të sigurisë kibernetike 2024.