Shqipëri, shënohet numër rekord i pacientëve të shëruar nga COVID-19

Në Shqipëri gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 93 raste të reja pozitive me koronavirusin e ri (COVID-19) dhe 6 persona të tjerë kanë ndërruar jetë, ndërkohë është shënuar numër rekord i të shëruarve me 227 pacientë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Numri i përgjithshëm i rasteve të konfirmuara në Shqipëri është rritur në 9.606 dhe numri i të vdekurve në 290, sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

“Sot është shënuar një numër rekord të shëruarish. Janë 227 qytetarë që e kanë fituar betejën me sëmundjen në 24 orët e fundit, duke e çuar në 5.441 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë”, theksohet në njoftimin e ministrisë.

Aktualisht në dy spitale në Tiranë po trajtohen 182 pacientë të konfirmuar pozitivë me COVID-19.

Që nga fillimi i pandemisë në Shqipëri janë kryer gjithsej 63.649 testime dhe institucionet shëndetësore vazhdojnë testimet për rastet e dyshuara.