Shqipëri, shënohet Dita e Dëshmorëve

Me rastin e 5 Majit, Ditës së Dëshmorëve në Shqipëri, drejtuesit e lartë të vendit kanë bërë homazhe dhe vendosën kurora me lule pranë Monumentit “Nënë Shqipëri”, raporton Anadolu Agency (AA).

Ceremonia qendrore u zhvillua në Varrezat e Dëshmorëve në Tiranë, ku të pranishëm ishin presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, kryeministri i vendit, Edi Rama, ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka si dhe zyrtarë të tjerë.

Meta në një prononcim për mediat tha se është kënaqësi të takohesh me përfaqësues të familjeve të dëshmorëve. “Natyrisht ata janë kaq të shumtë, por të gjithë bashkë i bashkon përjetësia në nderim të asaj që kanë bërë për çlirimin e vendit, për 29 Nëntorin, që e vendosi Shqipërinë në anën e drejtë të historisë. Njëkohësisht edhe ka bërë të mundur që Shqipëria sot të jetë edhe anëtare e NATO-s, por pse jo, edhe të ketë një perspektivë shumë të mirë edhe për çeljen e negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, pasi ishin ata që përcaktuan gjithashtu rrugën evropiane të Shqipërisë”, tha Meta.

Një ceremoni për Ditën e Dëshmorëve është organizuar edhe në Akademinë e Sigurisë në Tiranë, ku ishte i pranishëm ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Fatmir Xhafaj.

Sipas Xhafajt, kjo ditë është një moment reflektimi për të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen. “Qetësinë dhe sigurinë për jetën dhe pasurinë e qytetarëve në kohë të ndryshme, e kanë paguar me jetët e tyre edhe 222 punonjës policie. Askush nuk dëshiron që rendi dhe siguria të paguhen me jetë njerëzore, por për fat të keq, nuk është e mundur që fenomenet kriminale të ndalohen përveçse me kundërpërgjigje të forta dhe ndonjëherë mëse të kushtueshme. Për këtë arsye, sot, të gjithë ata që shërbejnë në strukturat e Policisë së Shtetit, përkujtojnë me përulje dhe respekt kolegët e tyre të rënë në krye të detyrës, të cilët janë shpallur dëshmorë”, deklaroi Xhafaj.

Nga ana tjetër opozita, e kryesuar nga Partia Demokratike e Shqipërisë ka përkujtuar këtë ditë në një ceremoni të ndarë nga ajo zyrtare.

Si çdo vit, homazhe në nderim të dëshmorëve kanë kryer edhe veteranët, familjarë të dëshmorëve dhe qytetarë.

Gjatë homazheve në Varrezat e Dëshmorëve në Tiranë është shënuar dhe një incident mes përfaqësuesve të Partisë Demokratike dhe veteranëve, që mbanin në duar portrete të ish-diktatorit Enver Hoxha.

Ceremoni të ngjashme sot janë organizuar në të gjitha qytetet e Shqipërisë.