Shqipëri, rritet në 197 numri i rasteve me COVID-19

Me konfirmimin e 11 rasteve të reja, numri i rasteve me koronavirusin e ri (COVID-19) në Shqipëri është rritur në 197, ka njoftuar Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas njoftimit zyrtar të ministrisë, në 24 orët e fundit janë testuar 79 persona të dyshuar, prej të cilëve janë konfirmuar 11 raste të reja me COVID-19.

“Vazhdon puna në terren për identifikimin e rasteve të reja dhe gjurmimin e kontakteve të rasteve të konfirmuara pozitive. Deri në këto momente janë testuar 1.325 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 197 raste”, thuhet në njoftim.

Sipas të dhënave zyrtare, në mesin e të prekurve janë edhe 10 personat që kanë ndërruar jetë, ndërsa mes tyre deri tani janë 33 të shëruar.

Në vend është shpallur gjendje e fatkeqësisë natyrore për shkak të koronavirisut, ku sipas Kushtetutës së Shqipërisë mund të vendosen masa të jashtëzakonshme.

Aktualisht institucionet në Shqipëri kanë marrë masa të shumta kundër përhapjes së koronavirusit të ri, si mbyllja e institucioneve arsimore, ndalimi i hyrjeve me vendet fqinje për udhëtarët, pezullimi i fluturimeve me disa vende, pezullimi i transportit urban dhe i qarkullimit të automjeteve private dhe kufizimi i lëvizjes së qytetarëve.