Shqipëri, pensionistët organizojnë sërish protestë

Pensionistët në Shqipëri kanë organizuar përsëri protestë me kërkesat për rritjen e pensioneve dhe përmirësimin e shërbimeve sociale ndaj tyre, raporton Anadolu.

Dhjetëra pensionistë, të mbështetur edhe nga aktivistë dhe qytetarë, kanë protestuar në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, para selisë së Kryeministrisë së Shqipërisë.

Protesta e sotme është organizuar me mbështetjen e organizatave dhe grupimeve që mbështesin pensionistët, me kërkesat për rritjen e pensioneve të kategorive të ndryshme dhe përmirësimin e shërbimeve të institucioneve ndaj pensionistëve.

Me pankartat me mbishkrime “Hiqni dorë nga korrupsioni, të rritet pensioni”, “Punë një jetë, pensioni në dietë”, “Çmimet rriten, pensionet ulen” dhe “Pensionistët nuk kërkojnë bonuse, por pensione dinjitoze”, pensionistët kërkuan “pensione dinjitoze dhe miratimin e një minimumi jetik”.

Pensionistët kanë organizuar në javët e fundit disa protesta në Shqipëri dhe sipas organizatorëve, protestat do të vazhdojnë.

-Rritja e pensioneve dhe bounsi i fundvitit

Në një deklaratë për mediat sot, pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave të Shqipërisë, ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, tha se kanë miratuar bonusin e fundvitit për pensionistët.

Gonxhja deklaroi se fondi për bonusin është 100 milionë euro dhe shpërndarja pritet të fillojë gjatë muajit dhjetor, ndërkohë bonuset janë rreth 150 euro dhe 100 euro, sipas kategorisë së pensioneve.

Gjithashtu Qeveria e Shqipërisë në shtator të vitit 2024 miratoi një vendim për indeksimin e pensioneve me 4,1 për qind, rritje që kundërshtohet nga disa grupimeve të pensionistëve.

Sipas të dhënave të autoriteteve shqiptare, nga rritja e pensioneve e parashikuar në këtë vendim përfitojnë rreth 791.257 përfitues që marrin pensione të plota, pensione të pjesshme, pensione të reduktuara dhe pensione të parakohshme të pleqërisë, pensione të invaliditetit, pensione familjare si dhe pensione që rrjedhin nga skema suplementare dhe trajtimet e veçanta.