Shqipëri, paralajmërohet rritje e pagave në disa sektorë

Ministri i Ekonomisë dhe Financave i Shqipërisë, Arben Ahmetaj, në një konferencë për media bëri të ditur se Këshilli i Ministrave i Shqipërisë miratoi buxhetin për vitin 2019, i cili reflekton vëmëndjen e qeverisë ndaj qytetarëve dhe do të ketë rritje pagash në disa sektorë, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke folur për rritjen ekonomike të viti 2019, Ahmetaj tha se ai projektohet në nivelin 4,3 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto.

“Shqipëria planifikon të ketë një rritje ndër më të lartat në rajon. Defiçiti buxhetor për vitin 2019 është planifikuar të jetë 1,9 përqind i Prodhimit të Brendshëm Bruto. Është niveli më i ulët historik i defiçitit. Për të katërtin vit radhazi qeveria nuk prodhon borxh të ri, por krijon sufiçid i cili shkon në pagesën e borxheve të trashëguara ndër vite”, tha Ahmetaj.

Duke folur për investimet, Ahmetaj theksoi se po ashtu do të ketë një nivel të konsiderueshëm investimesh prej 5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

“Qeveria do të investojë në nivele të konsiderueshme dhe në terma nominal investimet publike do të shkojnë në 900 mln dollarë. Në të njëjtën kohë ajo që ne e përdorim si spirancë e shëndetshmërisë së financave publike, borxhi publik në fund të 2019 pritet të bjerë në 64,9 për qind. Ne trashëguam 74 për qind. Vitin tjetër do të jetë 64,9 për qind, që do të ulet për të lehtësuar barrën e borxheve të trashëguara në kurriz të familjeve shqiptare”, deklaroi Ahmetaj.

Gjithashtu ministri Ahmetaj theksoi se në buxhetin e vitit 2019 do të ketë rritje pagash në disa sektorë si shëndetësi, arsim, mbrojtje etj.

“Në shëndetësi përfitojnë 4.650 mjekë dhe 13.765 infermierë me një fond vjetor mbi 1 miliard lekë. Në arsim përfitojnë 35.783 staf mësimor me një fond vjetor 1.5 miliard lekë. Në sistemin penitenciar 3.560 policë të burgjeve me një fond 200 milion lekë në vit. Do ketë një rritje të ndjeshme të pagave për diplomatët shqiptarë mbi 20 për qind”, tha Ahmetaj.

Përsa i përket bonusit të foshnjave, Ahmetaj u shpreh se do përfitojnë 30 mijë familje me një fond prej 2 miliardë lekë.

“Përsa i përket politikës fiskale, synojmë një lehtësim të barrës fiskale, mbi 15 mijë punëmarrës përfitojnë nga ulja e normës së tatimit mbi pagat e niveli të mesëm dhe të lartë. Arsimi do vazhdojë të jetë mbi 3 për qind të Prodhimit të Brendshë Bruto, do ketë rritje të pagave të mësuesve rreth 7 për qind”, përfundoi Ahmetaj.