Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Shqipëri, opozita organizon protestë me “mosbindje civile”

Shqipëri, opozita organizon protestë me “mosbindje civile”

Në Shqipëri është organizuar protestë antiqeveritare në formën e “mosbindjes civile”, me thirrjen e partisë më të madhe të opozitës, Partisë Demokratike (PD), raporton Anadolu.

Protesta është mbajtur njëkohësisht në disa nga akset kryesore rrugore në Tiranë, Fier, Elbasan, Durrës dhe qytete të tjera, ndërkohë që është mbështetur dhe nga parti të tjera opozitare.

Për disa orë, protestuesit bllokuan qarkullimin në disa nga rrethrrotullimet dhe akset rrugore në vend, ndërsa në disa momente u shënuan edhe përplasje me forcat e policisë si dhe u dogjën goma dhe sende të tjera.

Opozita në Shqipëri kundërshton masën “arrest në shtëpi” për ish-kryeministrin Sali Berisha, dënimin e ish-deputetit Ervin Salianji, arrestimin e ish-presidentit Ilir Meta, si dhe kërkon krijimin e një qeverie teknike.

Kujtojmë se që prej dhjetorit 2023, ndaj Berishës është në fuqi masa “arrest në shtëpi”, i dyshuar sipas autoriteteve shqiptare për korrupsion.

Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë më 26 shtator 2024 la në fuqi vendimin e dhjetorit 2019 të shkallës së parë për dënimin me 1 vit burg për ish-deputetin Salianji, për veprën penale “kallëzim i rremë”.

Ndërkohë, ish-presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, është arrestuar më 21 tetor 2024, i dyshuar për kryerjen e disa veprave penale.

Sipas organizatorëve të protestës, “mosbindja civile” do jetë ajo që do t’i “sjellë zgjidhje Shqipërisë dhe shqiptarëve” dhe, sipas tyre, “qeveria teknike është e vetmja zgjidhje për Shqipërinë dhe shqiptarët”.

Partitë opozitare kërkojnë krijimin e një qeverie teknike për të përgatitur zgjedhjet e ardhshme parlamentare që pritet të mbahen në vitin 2025.

Organizatorët e protestës së sotme kanë paralajmëruar vijimin e protestave.

Exit mobile version