Shqipëri, mbi 70 për qind e të prekurve me COVID-19 janë shëruar

Në Shqipëri janë konfirmuar edhe 6 raste të reja me koronavirusin e ri (COVID-19), duke e rritur numri i përgjithshëm të rasteve në 856, përfshirë edhe personat që kanë ndërruar jetë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka njoftuar se në 24 orët të fundit janë testuar 224 qytetarë të dyshuar si të prekur me COVID-19.

“Gjatë ditëve të fundit kemi një përmirësim të situatës edhe në spitale. Që nga fillimi e deri më sot janë konfirmuar pozitivë me COVID-19 në të gjithë vendin 856 qytetarë. Prej tyre 627 qytetarë, mbi 70 për qind tashmë janë shëruar. Në të gjithë vendin aktualisht janë 198 persona aktivë me COVID19”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Sipas ministrisë, më pak se 15 për qind e të prekurve aktivë po marrin trajtim në spitale, ndërkohë pjesa tjetër ndiqet nga mjeku i familjes.

Deri tani janë gjithsej 10.268 teste të kryera, ndërkohë, kujtojmë se gjithsej 31 persona në Shqipëri kanë humbur jetën nga COVID-19.

Për shkak të COVID-19 në Shqipëri është shpallur gjendja e fatkeqësisë natyrore, ndërsa vazhdojnë masat si mbyllja e institucioneve arsimore, ndalimi i hyrjeve me vendet fqinje për udhëtarët, pezullimi i fluturimeve, pezullimi i transportit urban dhe kufizimi i lëvizjes së qytetarëve.

Nga data 27 prill, ka filluar zbatimi i strategjisë së rihapjes dhe lehtësimit të disa masave për qytetarët dhe bizneset, ndërsa prej datës 11 maj dhe 18 maj do të lehtësohen në aktivitetet e tyre një grup tjetër biznesesh.