Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Shqipëri, mbahet protestë kundër mbylljes së platformës TikTok

Shqipëri, mbahet protestë kundër mbylljes së platformës TikTok

Në Shqipëri është mbajtur një protestë kundër mbylljes së platformës TikTok, organizuar nga partia më e madhe e opozitës, Partia Demokratike e Shqipërisë (PD), raporton Anadolu.

Me sloganin “Në mbrojtje të fjalës së lirë”, qindra qytetarë kanë protestuar para selisë së Kryeministrisë së Shqipërisë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë.

Me pankartat me mbishkrimet “Liria e fjalës, jo censurë”, “Shqipëri 2025-ndalohet TikTok, lejohet korrupsioni”, “E çove edhe TikTok-in në emigracion”, protestuesit kanë kundërshtuar mbylljen e TikTok-ut.

Në fjalimet e tyre, disa nga të rinjtë protestues theksuan se po protestojnë për të drejtat e tyre dhe kundër censurës. Sipas PD-së, mbyllja e TikTok-ut është “një akt i rëndë censure”.

Pjesë e protestës ishin edhe kryetari i PD-së dhe ish-kryeministri Sali Berisha, deputetë të opozitë dhe aktivistë.

Në një deklaratë për mediat pas protestës, duke iu referuar fjalimeve në protestë Berisha u shpreh se “Fjalë të tilla për fjalën e lirë janë të denja për të gjitha kohërat”.

“Ishte një manifestim i jashtëzakonshëm i vajzave dhe djemve të rinj kundër censurës, për lirinë e fjalës dhe të mendimit”, tha Berisha.

Vendimi për mbylljen e platformës TikTok

Më 6 mars të këtij viti, Qeveria e Shqipërisë miratoi vendimin për mbylljen e qasjes në TikTok për 12 muaj, ndërkohë më 13 mars u kërkua nga institucionet për të hyrë në fuqi zyrtarisht mbyllja.

Vendimi në fjalë është marrë pas vrasjes të një nxënësi 14-vjeçar nga një bashkëmoshatar i tij në nëntor të vitit 2024 dhe pas rasteve të konflikteve mes të miturve që ekspozohen edhe online.

Qeveria shqiptare ka vendosur ndërprerjen e qasjes në TikTok në territorin e Shqipërisë, sipas autoriteteve deri në momentin që kjo platformë të zbatojë standardet e sigurisë dhe moshës për përdoruesit e mitur.

Më 18 nëntor të vitit 2024, pas një konflikti mes disa të miturve pranë një shkolle në Tiranë mbeti i vrarë me thikë një nxënës 14-vjeçar dhe një tjetër u plagos.

Kjo ngjarje shkaktoi reagime të organizatave të shoqërisë civile, partive politike dhe prindërve, si dhe protesta në lidhje me sigurinë në shkolla dhe ambientet përreth tyre.

Exit mobile version