Shqipëri, mbahet protestë antiqeveritare

Në Shqipëri është mbajtur protestë antiqeveritare në formën e “mosbindjes civile”, me thirrjen e partisë më të madhe të opozitës, ndërkohë protesta është përfshirë edhe nga tensionet dhe përplasjet, raporton Anadolu.

Protesta është organizuar nga Partia Demokratike e Shqipërisë (PD), e mbështetur dhe nga parti të tjera opozitare, për të kërkuar “qeveri teknike dhe garancitë për zgjedhje të lira dhe të ndershme”.

Protestuesit janë ndarë në disa në zona të ndryshme të Tiranës, duke bllokuar disa akse rrugore, ndërkohë janë shënuar edhe përplasje mes protestuesve dhe policisë.

Përplasje dhe tensione janë shënuar edhe mes disa deputetëve të opozitës dhe forcave të policisë. Nga Partia Demokratike është pretenduar se disa nga deputetët e opozitës janë dhunuar gjatë përplasjes me forcat e policisë.

Kryetari i PD-së dhe ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, në një deklaratë për mediat gjatë protestës u shpreh se asgjë nuk i pengon demokratët për të realizuar objektivat e tyre.

“Kjo mosbindje civile është në interesin e çdo qytetari të Tiranës dhe Shqipërisë dhe se ne nuk ndalojmë pa realizuar objektivat tona, qeveri teknike dhe zgjedhje të lira”, tha Berisha.

Duke iu drejtuar pjesëmarrësve në protestë, Berisha u shpreh se protestuesit e kanë përmbushur misionin e tyre. “Jemi më shumë se kurrë nga e gjithë Shqipëria në këtë betejë. Ky është marshi i fitores”, tha ndër të tjera Berisha.

Në muajt e fundit në Shqipëri janë organizuar disa protesta të ngjashme nga partitë opozitare, me kërkesën për qeveri teknike.

Zgjedhjet e përgjithshme parlamentare në Shqipëri do të mbahen më 11 maj 2025.