Shqipëri, masa të reja kundër pandemisë COVID-19

Në Shqipëri janë miratuar masa të reja kundër pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19), që përfshijnë kufizimin e lëvizjes së qytetarëve, mësimin online për shkollat e mesme në disa bashki dhe masa të tjera, raporton Anadolu Agency(AA).

Në një deklaratë për mediat, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, publikoi masat shtesë që janë miratuar nga Komiteti Teknik i Ekspertëve.

Ky komitet ka vendosur ndalimin e qarkullimit të lëvizjes për qytetarët dhe ndalimin e aktiviteteve të bareve, restoranteve dhe klubeve(me përjashtim të shërbimit në banesë) nga ora 20:00-6:00 në periudhën 11-25 shkurt.

Më parë kufizimet ishin nga ora 22:00-06:00, ndërkohë nga kufizimet e lëvizjes përjashtohen emergjencat shëndetësore dhe lëvizjet për arsye pune sipas autorizimeve të autoriteteve.

Shkollat e mesme do të aplikojnë skenarin e mësimit online në bashkitë Tiranë, Fier, Vlorë, Berat, Durrës, Gjirokastër, Lezhë, Lushnje, Pogradec dhe Kamëz, për periudhën 11-26 shkurt.

Gjithashtu sezoni i provimeve për universitetet do të zgjatet, për të siguruar kombinimin e provimeve online dhe në auditor.

Ministrja Manastirliu theksoi se ka një rritje të numrit të infektimeve. “Ndodhemi në një situatë kur dyshimet e arsyeshme na bëjnë të mendojmë për praninë e mutacioneve të reja të virusit. Për rregullat që kemi aktualisht dhe për këto masa të reja të sapo shpallura, nuk do të ketë tolerancë për moszbatimin e masave dhe protokolleve anti-COVID”, u shpreh Manastirliu.

Aktualisht në Shqipëri janë në fuqi edhe masa të tjera kundër pandemisë, si mësimi online në universitete dhe ndalimi i grumbullimeve masive .

Kujtojmë se në ditët e fundit në Shqipëri është shënuar trend rritës në rastet me COVID-19. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka konfirmuar se që nga fillimi i pandemisë në Shqipëri janë regjistruar gjithsej 87.528 raste pozitive me COVID-19, mes tyre 1.488 persona kanë ndërruar jetë, 52.933 janë shëruar.