Me Evropianin 2016 tashmë të arkivuar si një ëndërr të bukur vere, tifozët shqiptarë të futbollit kanë nisur të mendojnë sesi kuqezinjtë mund të arrijnë një tjetër finish të rëndësishëm në historinë tonë, që na ka dhuruar jo shumë arritje. Kanë nisur tashmë ethet për eliminatoret e botërorit që zhvillohet në Rusi në vitin 2018, dhe sfida e parë është një derbi ballkanik.
Federata Shqiptare e Futbollit, ka njoftuar të gjithë tifozët dhe të interesuarit se ka filluar këtë të enjte në dyqanin zyrtar të FSHF-së në Rrugën “Themistokli Germenji”, shitja e biletave për ndeshjen Shqipëri-Maqedoni e vlefshme për Kupën e Botës “Rusi 2018”. Kjo ndeshje do të zhvillohet në datën 5 shtator 2016 në stadiumin “Loro Borici”, shkruan Top Channel.
Në shitje janë bileta nga të gjithë sektorët, përfshire këtu edhe atë VIP. FSHF ofron edhe paketa abonimesh për të gjitha ndeshjet e kombetarës, të cilat mund të perfitohen me një çmim të reduktuar prej 15 %.
Çmimet e biletave nisin nga 1,000 lekë të reja për tribunat mbrapa portave, për të vazhduar me 1,500 lekë në tribunat anësore C1, C5 dhe E1, E5. Në katër sektorët e tribunës D biletat kushtojnë nga 2,000 deri në 3,000 lekë të reja, ndërsa në tribunën qendrore në sektorët A dhe B çmimi shkon në 8,000 lekë të reja.
Shqipëria ndodhet e pozicionuar në grupin G të eliminatoreve me koeficentin e vështirësisë shumë më të lartë se në Europian. Rivalë të grupit tonë janë Spanja, Italia, Izraeli, Maqedonia, dhe Lihtenshtajni.