Në Shqipëri raportohet se Shoqëria “Turgut Özal Education” e cila njihet për afërsinë dhe lidhjet me organizatën terroriste FETO në Shqipëri po hetohet për veprën penale të pastrimit të parave dhe se çështja ndaj saj është referuar nga policia në Prokurorinë e Tiranës, transmeton Anadolu Agency(AA).
Sipas disa mediave, policia ka ushtruar kontroll në ambientet e shoqërisë e cila administron disa institucione arsimore, ndërsa janë marrë në pyetje disa nga zyrtarët e këtij institucioni privat arsimor.
Raportohet se policia ka dyshime se kompania me të ardhurat që operon në fushën e mësimdhënies, nuk justifikon me burime të ligjshme blerjen e disa pasurive të paluajtshme në Shqipëri.
Gjithashtu theksohet se përgjatë ditëve të fundit, i gjithë dokumentacioni i kësaj shoqërie është verifikuar nga institucionet tatimore në vend.
Në një nga mediat raportohet se Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik i Policisë së Tiranës ka marrë në pyetje pak ditë më parë pronarët e rinj të këtij institucioni arsimor, pasi në tre vite janë konstatuar transaksione të dyshimta në shit-blerje pronash nëpërmjet Niptit të shkollës (NIPT-i është numri unik i identifikimit të regjistrimit të bizneseve), si dhe derdhje parash që nuk korrespondojnë në vlerat e shkollimit dhe numrit të nxënësve.
Gjithashtu raportohet se hetimi ka nisur pas derdhjes së vlerës prej 10 milionë dollarë të shitjes së aksioneve të “Turgut Özal”, transaksion që është nën hetim dhe theksohet se 2 shtetas turq, të cilët janë në listë për t’u pyetur nuk janë gjetur në Tiranë pasi janë larguar para 3 muajsh.
Deri tani janë pyetur 4 shtetas
Më tej thuhet se deri tani janë pyetur 4 shtetas nga struktura e krimit ekonomik, ndërsa akoma nuk ka asnjë masë sekuestro apo fakt për të vendosur masë, si ndaj shkollës ashtu edhe llogarive bankare.
“Dyshime se dhjetëra transaksione të dyshimta si financime të terrorizmit, kanë çuar seksionin e krimit ekonomik dhe Drejtorinë e Pastrimit të Parave Tiranë, të përpilojnë një raport financiar mbi volumin e pagesave bankare, mbi shtetasit turq, ish-pronarë të kolegjit ‘Turgut Özal’ që quhen Rahmi Tozduman, Davut Hancıoğlu, Adnan Hoşoğlu dhe Yakup Arslan”, raportohet në media.
Gjithashtu theksohet se “Ky raport i është përcjellë Prokurorisë së Tiranës për vlerësim hetimor, pasi kanë lindur dyshime se këto para po hyjnë në llogaritë e disa njerëzve turq, që janë të lidhur ngushtë me organizatën ‘FETO’, e cila në disa vende të botës, përfshirë dhe Turqinë, cilësohet si organizatë terroriste. Volumi i transaksioneve ka filluar qysh prej datën 6 mars 2017, kur dhe katër personat e mësipërm në cilësinë e aksionarëve të kolegjit arsimor ‘Turgut Özal’, kanë vendosur të shesin 100 për qind të aksioneve të kësaj prone tek kompania Holandeze,”BF Cooperatief U.A”. Në fakt qendra e kësaj kompanie është Amsterdami, por pronari i saj është një shtetas turk, që mban raporte të ngushta dhe biznesi me organizatën FETO. Ai quhet Fahri Özçelik, si përveç si biznesmen i suksesshëm ai njihet dhe si anëtar i Federatës së Biznesmenëve të Rinj në Holandë (HOGIAF), e cila luan rol të rëndësishëm në aktivitetet financiare të FETO-s në Holandë”.
Shoqëria është kontrolluar edhe nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve
Mediat po ashtu kanë publikuar edhe një reagim të “Turgut Özal Education” që pretendon se “Shoqëria së fundmi është kontrolluar edhe nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, nga kontrolli i së cilës nuk është konstatuar asnjë parregullsi dhe shkelje”.
“Pavarësisht këtyre auditimeve dhe kontrolleve, të gjitha institucionet arsimore të Shoqërisë, duke filluar nga kopshti deri tek Universiteti ‘EPOKA’, janë vënë nën një presion të çuditshëm dhe të pakuptimtë nga persona me axhenda të paqarta dhe me porosi po të paqarta, të cilat përmes strukturave të caktuara të policisë së shtetit kanë ushtruar dhunë verbale, veprime arbitrare dhe represionit ndërkohë që procesi i edukimit vijon në kushtet e COVID-19”, thuhet në reagim.
Kjo shoqëria gjithashtu thekson se është duke ndjekur dhe do të vazhdojë të ndjekë rrugën ligjore pranë autoriteteve shqiptare.
Në dhjetor të vitit 2017, Anadolu Agency (AA) raportoi se Organizata terroriste FETO u përpoq të mashtrojë opinionin duke ia transferuar kolegjin “Turgut Özal” në Shqipëri kompanisë “BF Cooperatief U.A”, e cila gjithashtu njihet për afërsinë me organizatën terroriste FETO në Holandë.
Disa vite më parë AA siguroi informacione zyrtare nga Qendra Kombëtare e Biznesit e Shqipërisë, ku konfirmohej me dokument zyrtar se në mbledhjen e zhvilluar më 6 mars të vitit 2017 nga Davut Hancıoğlu, Yakup Arslan, Adnan Hoşoğlu dhe Rahmi Tozduman, aksionarë të kolegjit “Turgut Özal”, është marrë vendimi që kolegji t’i transferohet kompanisë “BF Cooperatief U.A” me qendër në Holandë.
Në Shqipëri gjenden 8 shkolla që drejtohen nga Shoqëria “Turgut Özal Education”, ku përfshihet kopshti, shkolla fillore, e mesme e ulët, e mesme e lartë, dhe universiteti.