Në Shqipëri është hapur Panairi i Librit “Tirana 2021”, i cili organizohet nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë me mbështetjen e Bashkisë së Tiranës dhe Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit të Shqipërisë, raporton Anadolu Agency (AA).
Në aktivitetin e hapjes së panairit të mbajtur në mjediset e Pallatit të Kongreseve në Tiranë ishin të pranishëm përfaqësues të institucioneve, të shtëpive botuese pjesëmarrëse në panair, shkrimtarë dhe studiues.
Meri Kumbe, zëvendësministrja e Kulturës e Shqipërisë, gjatë fjalës në aktivitetin e hapjes së panairit tha sfidat aktuale të librit janë sfida mbarë globale.
“Urojmë që ky panair të jetë i mbarë, të ketë vizitorë të lartë, padyshim duke ruajtur gjithnjë shëndetin e të gjithëve. Sfidat e librit janë sfida mbarë globale tashmë, por ditët e vështira që kaluam gjatë pandemisë treguan dhe nënvizuan edhe një herë më fort rëndësinë që ka libri dhe leximi në jetën tonë”, theksoi Kumbe.
Kryetari i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, Petrit Ymeri, theksoi se qëllimi i tyre si organizatorë janë lexuesit.
“Ne jemi të bindur që me lexim, me libra dhe me kulturë Shqipëria do të shkojë përpara. Mendoj që kemi një rrugë për të cilën duhet të ngulim këmbë për bashkëpunimin me institucionet për të përmirësuar klimën e librit në Shqipëri, klimën e punës me librin në Shqipëri, pasurimin e bibliotekave, ngritjen e librarive dhe ngritjen e bibliotekave”, tha Ymeri.
Në edicionin e 24-t të panairit që organizohet në datat 17-21 nëntor përveç ekspozimit të librave do të organizohen edhe takime më shkrimtarë, promovime të botimeve të reja, seminare dhe aktivitete të tjera. Në panair marrin pjesë shtëpi botuese nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi.