Në Shqipëri në 24 orët e fundit është regjistruar rekord i ri në rastet e reja me koronavirusin e ri (COVID-19), 563 raste pozitive, ndërkohë 8 persona kanë ndërruar jetë, transmeton Anadolu Agency(AA).
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka njoftuar se që nga fillimi i pandemisë numri i përgjithshëm i rasteve me koronavirus në vend është rritur në 25.294 dhe numri i të vdekurve në 579.
Në orët e fundit janë shëruar 150 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve në 12.353 dhe raste aktive janë 12.362.
Institucionet shëndetësore në Shqipëri kanë kryer gjithsej 143.804 testime për personat e dyshuar me koronavirus që nga fillimi i pandemisë.
Ndërkohë, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e Shqipërisë, Ogerta Manastirliu, gjatë një deklarate për mediat sot tha se po punohet çdo ditë për rritjen e testimeve dhe zgjerimin e kapaciteteve spitalore duke përfshirë edhe spitalet rajonale.
Duke rikujtuar masat e reja, ajo tha se nga data 11 nëntor do të hyjnë në fuqi urdhrat për ndalimin e aktiviteteve të bareve dhe restoranteve dhe për kufizimin e lëvizjes së qytetarëve nga ora 22:00-06:00 në të gjithë vendin, për një periudhë 3 javore si masa për frenimin e përhapjes së koronavirusit.