Shqipëri, 8 raste të reja me COVID-19

Në Shqipëri janë konfirmuar 8 raste të reja me koronavirusin e ri (COVID-19), duke e rritur numrin e përgjithshëm të rasteve në 989, përfshirë edhe personat që kanë ndërruar jetë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, gjatë 24 orëve të fundit janë testuar 200 qytetarë si të dyshuar të prekur me COVID-19, ndërsa rastet e reja janë kontakte të rasteve të mëparshme pozitive.

“Deri më sot janë konfirmuar pozitivë 989 qytetarë me COVID-19. Prej tyre, rreth 79 për qind janë të shëruar. Aktualisht janë 175 persona aktivë me COVID-19, kryesisht ne Tiranë, Durrës Krujë dhe Shkodër”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Në Shqipëri janë kryer gjithsej 14,459 testime dhe janë shëruar 783 pacientë, ndërsa gjithsej 31 persona kanë humbur jetën nga COVID-19.

Për shkak të COVID-19 në Shqipëri vazhdon gjendja e fatkeqësisë natyrore, ku janë në fuqi disa nga masat, si ndalimi i hyrjeve me vendet fqinje për udhëtarët, pezullimi i fluturimeve, pezullimi i transportit urban dhe kufizimi i lëvizjes së qytetarëve në disa qytete.

Prej disa javësh ka filluar zbatimi i strategjisë së rihapjes dhe lehtësimit të masave për qytetarët dhe bizneset.