Shqipëri, 2 të vdekur dhe 61 raste të reja me COVID-19

Në Shqipëri kanë ndërruar jetë edhe dy persona të tjerë nga koronavirusi i ri (COVID-19) dhe janë regjistruar 61 raste të reja në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit, transmeton Anadolu Agency(AA).

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka njoftuar se numri përgjithshëm i vdekjeve që nga fillimi i pandemisë është rritur në 53 dhe numri i përgjithshëm i rasteve pozitive ka shkuar në 2.330.

Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 355 testime dhe sipas ministrisë një pjesë e konsiderueshme e rasteve lidhen me ndërmarrje me shumë punëtorë, ndërkohë që vazhdon hetimi për raste të reja.

Sipas institucioneve shëndetësore, vijon të ketë shtrime të reja të pacienteve me simptoma të rënduara si pasojë e COVID-19.

Gjithashtu janë shëruar 48 qytetarë, duke e rritur në 1.346 numrin e të shëruarve që nga fillimi i pandemisë dhe aktualisht janë 931 persona aktivë me COVID-19, kryesisht në Tiranë, Shkodër dhe Durrës.

Deri më tani në Shqipëri janë kryer 25.918 testime dhe institucionet shëndetësore vazhdojnë testimet për rastet e dyshuara.