Shqipëri, 14 të vdekur dhe 753 raste të reja me COVID-19

Në Shqipëri në 24 orët e fundit janë regjistruar 14 të vdekur dhe 753 raste të tjera pozitive me koronavirusin e ri (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA).

Numri i përgjithshëm i rasteve me koronavirus në vend që nga fillimi i pandemisë është rritur në 44.436 dhe numri i të vdekurve në 936, ka njoftuar Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Në orët e fundit janë shëruar 347 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve në 22.527 dhe raste aktive janë 20.973.

Institucionet shëndetësore në Shqipëri që nga fillimi i pandemisë kanë kryer gjithsej 208.503 testime për personat e dyshuar me koronavirus.

”Situata epidemiologjike në vend mbetet e qëndrueshme”

Sot, Komiteti Teknik i Ekspertëve në një deklaratë për media theksoi se situata epidemiologjike në vend mbetet e qëndrueshme.

“Gjendja mbetet relativisht e qëndrueshme dhe do na duhet një javë tjetër për të parë nëse do të vazhdojë kjo qëndrueshmëri. Në bazë të vlerave që do të kemi këtë javë do të gjykohet nëse do të ngelemi në nivelin e këtyre masave (masat në fuqi) apo do të ketë nevojë për masa të tjera. Është një javë e rëndësishme në vlerësimin epidemiologjik të situatës”, tha drejtuesja e këtij komiteti, Mira Rakacolli.

Kujtojmë se në Shqipëri vazhdon të jetë në fuqi kufizimi i lëvizjes së qytetarëve dhe kufizimi i aktivitetit të bareve dhe restoranteve nga ora 22:00 deri në orën 06:00.

Gjithashtu vazhdon mësimi online në universitete dhe vijojnë të jenë të ndaluara grumbullimet me mbi 10 persona në vende të hapura dhe të mbyllura, tubimet, konferencat dhe ceremonitë e festave.