Shqipëri, 10 të vdekur dhe 656 raste të reja me COVID-19

Në Shqipëri janë regjistruar 10 të vdekur nga koronavirusi i ri (COVID-19) dhe 656 raste të reja në 24 orët e fundit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Numri i përgjithshëm i rasteve me koronavirus në vend që nga fillimi i pandemisë është rritur në 35.600 dhe numri i të vdekurve në 753, ka njoftuar Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Në orët e fundit në Shqipëri janë shëruar 321 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve në 17.352 dhe raste aktive aktualisht janë 17.495.

Sipas ministrisë, në disa spitale në Tiranë po trajtohen 469 pacientë të konfirmuar pozitivë me COVID-19.

Institucionet shëndetësore në Shqipëri kanë kryer gjithsej 182.016 testime për personat e dyshuar me koronavirus që nga fillimi i pandemisë.