Ballina Lajmet Maqedoni Shqip në Parlamentin e Shkupit, kryeparlamentari Xhaferi hapi seancën

Shqip në Parlamentin e Shkupit, kryeparlamentari Xhaferi hapi seancën

“Zonja dhe zotërinj, e hap seancën…”. Me këto fjalë, kryetari i Parlamentit maqedonas Talat Xhaferi çeli seancën e parë të këtij institucioni të drejtuar në gjuhën shqipe.

Xhaferi sqaroi në një takim paraparak me gazetarët se, ligji për përdorimin e gjuhëve siguron afat gjashtëmujor për përkthimin e materialeve të tjera të Kuvendit, përfshirë edhe emërtimet në institucionin ligjvënës.

Shqipja, siç shpjegon televizioni “ALSAT”, në emërtimet e Kuvendit do të aplikohet bashkë me ndryshimet e emrit të ri të vendit.

Por, ky moment nuk kaloi pa kundërshtimin e VMRO-DPMNE-së, e cila këmbënguli se drejtimi i seancave në shqip është në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit, dhe se bëhet për të fituar pikë politike pikërisht në prag të procesit zgjedhor.

“Sot bëhemi përsëri dëshimtarë të mënyrës sesi nxitoni, duke i shkelur procedurat, ta vendosni ligjin për dygjuhësinë në funksion, vetëm për një votë më shumë dhe për marketing ditor politik”, tha Nikola Micevski, koordinator i grupit parlamentar të partisë më të madhe të opozitës.

Duke u përpjekur të sqarojë këtë çështje, Xhaferi u shpreh se, fakti që ligjet e tjera dhe Rregullorja e Kuvendit nuk janë përshtatur ende me ligjin e gjuhëve, nuk e pengon zbatimin e tij në Kuvend.

Exit mobile version