Demokracia në Veprim (DnV) ka vazhduar monitorimin e fushatës zgjedhore në nivel vendi me anë të 60 vëzhguesve afatgjatë, të cilët raportojnë në baza ditore mbi mbarëvajtjen e fushatës zgjedhore që po zhvillojnë subjektet politike të cilat po garojnë për zgjedhjet e përgjithshme të 11 qershor 2017.
Në raportin e DnV, thuhet se në bazë të raportimeve, në 4 ditët e fushatës zgjedhore, vëzhguesit afatgjatë kanë monitoruar 245 aktivitete të subjekteve politike në mbarë vendin, shumica e të cilave kanë qenë tubime publike.
“Polica e Kosovës është përkujdesur për 65% e këtyre aktiviteteve, në 10% ka pasur të pranishme institucione tjera të sigurisë përfshirë këtu kompani private të sigurimit, ndërsa në 25% të të gjitha aktiviteteve nuk është vërejtur prani e sigurimit” thuhet në raport, transmeton Telegrafi.
Pjesa më e madhe e aktiviteteve zgjedhore të monitoruara nga DnV kanë qenë takime me 50 deri në 500 pjesëmarrës, ndërsa 18 prej tyre kanë qenë tubime me mbi 1000 pjesëmarrës.
“Pjesëmarrja e grave në aktivitetet e zhvilluara në kuadër të fushatës zgjedhore ka qenë mesatarisht rreth 15%. Në baza gjinore, në aktivitetet e subjekteve politike kanë folur 810 burra (përkatësisht 79%) dhe 217 gra (përkatësisht 21%)” thuhet në raport.
Sipas DnV, mbetet shqetësues fakti i përfshirjes së fëmijëve në fushatë.
“Në 72 aktivitete të fushatës zgjedhore të pranishëm kanë qenë edhe fëmijët. Në total numri i fëmijëve që ka marr pjesë në aktivitetet e zhvilluara në 4 ditë fushatë zgjedhore ka shkuar afërsisht në 1284 fëmijë. Vërehet përdorimi i fëmijëve në mënyrë të organizuar, të cilët bartin materialet propaganduese të subjekteve politike që po garojnë në zgjedhje”, thotë DnV.
Në 46 nga 245 aktivitetet zgjedhore të monitoruara nga DnV, pjesëmarrës kanë qenë personat me aftësi të kufizuara, në total kanë marr pjesë rreth 112 persona. Ndërsa në 52 aktivitete zgjedhore në vendin ku është mbajt aktiviteti personave me aftësi të kufizuara nuk u është siguruar qasje për pjesëmarrje.
Sipas DnV, mediat nuk kanë qenë të pranishme në 50% të aktiviteteve zgjedhore të monitoruara në nivel vendi, ndërsa në aktivitet në të cilat kanë marr pjesë nuk janë penguar të raportojnë lirshëm.
“Përdorimi i resurseve publike është vërejtur në 42 nga 245 aktivitetet zgjedhore të monitoruara nga DnV ku janë vënë re përdorimi i veturave zyrtare dhe pjesëmarrja e shërbyesve civil”
Më tej në raport thuhet se në 17 aktivitete është raportuar që subjektet politike kanë përdorur gjuhë të urrejtjes dhe në vetëm 2 raste është raportuar që atmosfera gjatë aktivitetit zgjedhor ka qenë e tensionuar.
DnV është duke bërë monitoruar gjithashtu përdorimin e rrjetit social Facebook nga koalicionet dhe subjektet politike që nga fillimi zyrtar i fushatës zgjedhore. Në katër ditë të fushatës zgjedhore, subjektet politike që janë pjesë përbërëse e koalicionit LAA (LDK-AKR-Alternativa) kanë bërë më së shumti postime në faqet e tyre zyrtare në Facebook përkatësisht 48 postime, pasuar nga subjektet politike që janë pjesë e koalicionit PAN (PDK-AAK-Nisma) përkatësisht 21 postime dhe subjektit politik LVV përkatësisht 11 postime.