Shpresa e Zvicrës në Botëror

Njëri prej lojtarëve me paraqitjet më impresionuese për Stoke Cityn në sezonin që përfundoi me rënie nga Premierliga të këtij klubi, Xherdan Shaqiri, shpreson që talentin e tij të padiskutueshëm ta tregojë edhe me Zvicrën në Kampionatin Botëror, i cili do të fillojë këtë muaj, shkruan sot, gazeta “Zëri”.

Futbollisti me prejardhje nga Kosova nuk e ka të qartë ende se në cilin klub do të luajë sezonin e ardhshëm, por paraqitjet në “Rusia 2018” mund të jenë vendimtare për ish-futbollistin e Baselit, Bayern Munichut dhe Interit.

Ai është i bekuar me një këmbë të majtë magjike dhe me kreativitet të pashoq. Shaqiri është bërë vetëm futbollisti i dytë zviceran në histori që shënon “hat-trick” në Botëror, gjë të cilën e kishte bërë ndaj Hondurasit në Manaus të Brazilit katër vjet më parë, shkruan “newindianexpress.com”.

Zëri shkruan se ai kishte shkëlqyer përsëri në Evropianin 2016 me një gol spektakolar ndaj Polonisë në të tetën e finales, të cilin ekipi Helvetik fatkeqësisht e humbi pas penalltive dhe u eliminua nga ky eveniment.

Sidoqoftë, ai është pjesë e rregullt e Përfaqësueses së Zvicrës që prej debutimit të tij në Botërorin 2010 në Afrikën e Jugut, por që ishte i paaftë ta siguronte një vend titullari në Bayern dhe më pas në Inter, gjë që bëri që ai ta bënte një hap prapa, duke u transferuar në një klub më të vogël, Stoke City.

26-vjeçari megjithatë ka ende kohë në anën e tij, por duhet ta gjejë klubin e duhur në hapin e tij të ardhshëm për të treguar se me të vërtetë është “Messi i Alpineve”, siç ia kanë vënë nofkën atij vite më parë, duke e krahasuar me njërin prej futbollistëve më të mirë në histori të futbollit.

“Shaqiri është lojtar i cili mund ta bëjë diferencën, sepse ai di t’i vendosë i vetëm ndeshjet”, kishte thënë ish-trajneri i Zvicrës Ottmar Hitzfeld duke e përshkruar kampionin e dyfishtë të Gjermanisë dhe fituesin e Ligës së Kampionëve para Botërorit të fundit.

Pritjet do të jenë të mëdha për lojtarin që ka shënuar 20 gola në 68 ndeshje me Përfaqësuesen e Zvicrës, e cila është e vendosur që të demonstrojë se renditja në pozitën e gjashtë të klasifikimit të FIFA-s nuk është vetëm rastësi, por që vërtet “Alpinët” e meritojnë një epitet të tillë. Krahas Shaqirit, Zvicrën në Botëror pritet ta përfaqësojnë edhe tre futbollistët e tjerë shqiptarë: Granit Xhaka, Valon Behrami e Blerim Xhemaili.