Shpjegimi i fshehtësive të haxhit

Dije se është e mundur të arrish te Allahu, xh.sh., vetëm nëse lirohesh nga lakmitë tua, duke hequr dorë nga kënaqësitë e shfrenuara, përveç atyre të domosdoshmeve.
Për këtë, është e nevojshme që tërësisht t’i dorëzohesh Allahut të Madhërishëm, në të gjitha lëvizjet dhe në qetësi. Për këtë murgjit e popujve të kaluar kanë ikur nga krijesat e tjera dhe jane strehuar nëpër kodra. Ata më tepër kanë dëshiruar të jetojnë në vetmi, me qëllim që të jenë sa më afër Allahut të Madhërishëm. Për Allahun i kanë braktisur të gjitha kënaqësitë afatshkurtra, duke u obliguar me detyrime të rënda, e gjithë kjo për ta fituar Ahiretin. Allahu i Madhërishëm të tillët i lavdëron në librin e Tij ku thotë:
“…Këtë ngase prej tyre (të krishterëve) ka dijetarë (ulema) dhe të devotshëm, dhe se ata nuk janë kryeneçë.”(1)
Kur kjo mbaroi, kur njerëzit u lëshuan pas kënaqësive të shfrenuara dhe lakmive personale, kur braktisën vetminë për shkak të ibadetit ndaj Allahut, xh.sh., dhe kur u dobësuan në këtë, atëherë Allahu i Madhërishëm dërgoi Pejgamberin e Tij, Muhamedin, a.s., që të tregojë rrugën e Ahiretit dhe të ripërtërijë praktikën e pejgamberëve të mëparshëm. E pyetën të Dërguarin e Allahu, s.a.v.s., si e sheh Islami murgërinë dhe jetën e murgjve, u përgjigj:
“Allahu i Madhërishëm jua ndërroi me xhihad dhe thënien e tekbireve në çdo lartësi”(2) – dmth. haxhin.
E kanë pyetur të Dërguarin e Allahut, s.a.v.s., për ata që jetojnë si asketë dhe u përgjigj: “Ata janë agjëruesit.”(3)
Kështu Allahu i Madhërishëm e nderoi këtë ymet me atë që haxhin ua bëri asketizëm, ndërsa tempullin e lashtë e nderoi me atë që ia përshkroi Vetes, duke e bërë vendtakim për robt e Tij; ndërsa hapësirën rreth saj (Qabes) e bëri haram (të mbrojtur) për shtëpinë e Tij. Arefatin e bëri si një gyp të lëshuar nga havdi i Tij, duke e vërtetuar shenjtërinë e kësaj hapësire me ndalimin e gjuetisë në të dhe prerjen e drunjve, mu siç Arefati të jetë vend i qëndrimit të sunduesit në të cilin vijnë vizitorët nga vendet e largëta dhe nga të gjitha vendet, të lodhur dhe të pluhurosur, modestë dhe të përulur para Zotit të Shtëpisë, para Lartësisë dhe Madhështisë së Tij, duke e pranuar mbi çdo gjë, që asgjë nuk mund ta përfshijë asnjë shtëpi apo vendbanim. Një pranim i tillë zhvillon ndjenjën e robërisë dhe përkushtimit vetëm ndaj Atij.
Për këtë Allahu i Madhërishëm i obligoi haxhinjtë me veprime të caktuara të cilat për ata janë të pazakonshme dhe të pashpjegueshme, si p.sh. hedhja e guralecëve dhe ecja në mes Saffasë dhe Mervesë. Por duke kryer këso dhe veprime të ngjashme, haxhiu tregon nënshtrimin komplet dhe robërimin maksimal. Në obligimin e dhënies së zekatit gjejmë mëshirën dhe kjo mund të shpjegohet dhe arsyetohet. Agjërimi paraqet mënjanimin e epshit, i cili është mjet i armikut të Allahut, duke e ndarë njeriun nga të gjitha preokupimet tjera dhe duke e kthyer në ibadet kah Allahu i Madhërishëm. Qëndrimi në ruku dhe lëshimi i fytyrës në tokë (sexhdja) në namaz paraqet përulësinë ndaj Allahut, xh.sh., si dhe veprimet të cilat me mënyrën e bërjes paraqesin nënshtrim dhe nuk janë të pazakonshme për njeriun i cili anon për ta lartësuar Allahun, xh.sh.
Mirëpo, ecja e përsëritur në mes Saffasë dhe Mervesë, gjuajtja e guralecëve dhe veprimet e ngjashme, janë të pazakonshme për njeriun dhe të pashpjegueshme në mënyrë racionale.
Për këtë ai i cili i kryen këto veprime, i bën vetëm për faktin që është i detyruar dhe që është i obliguar për t’iu nënshtruar atij urdhëri. Në këto situata mendja nuk ka kurrfarë pjesëmarrjeje, as edhe shpirti dhe natyra njerëzore, sepse çdo gjë që mendja e kupton dhe shpjegon, natyra njerëzore anon kah ajo dhe ky anim i ndihmon njeriut dhe e shtyt në kryerjen e asaj vepre e që, rrit ndjenjën e robërimit dhe nënshtrimit.
Për këtë i Dërguari i Allahut, s.a.v.s., posaçërisht për haxhin, ka thënë:
“Të përgjigjem Ty, me sinqeritet o Zoti im, duke e kryer obligimin e haxhit, duke shprehur me këtë bindjen dhe robërimin.”(4)
Diç ngjashëm i Dërguari i Allahut, s.a.v.s., nuk ka thënë për namaz apo ndonjë ibadet tjetër.
Nëse urtësia e Allahut kërkon që shpëtimi i njerëzve të varet nga ajo që veprat e tyre të jenë në kundërshtim me kërkesat e tyre dhe në kufijtë e Sheriatit, dhe që kryerja e këtyre veprave është nga bindja, të treguarit e robërimit dhe nënshtrimit, atëherë kryerja e këtyre veprave të cilat janë të pashpjegueshme në mënyrë racionale dhe kuptimi i të cilave është i paarritshëm, është mënyrë edhe më efikase e paraqitjes së robërimit, pastrimit të shpirtit dhe ushtrimit të tij si dhe të adaptimit në ndjenjën e robërimit dhe nënshtrimit. Nëse e njeh këtë të vërtetë, do të kuptosh se shkaku i këtyre veprimeve të pazakonshme për shpirtin është mahnitje me fshehtësitë e ibadetit.
Kjo është, me ndihmën e Allahut, e mjaftueshme të kuptosh obligimin e haxhit.

MALLËNGJIMI

Dëshira e fuqishme për t’a kryer haxhin vie nga njohuria dhe bindja që Qabeja është shtëpia e Allahut, xh.sh., dhe është e vendosur ashtu siç është vendosur rezidenca e mbretit. Ai i cili vjen në Mekë, ai që vjen tek Allahu i Madhërishëm dhe është vizitor i Tij, dhe ai i cili vendos të vizitojë Qabenë gjatë jetës në këtë botë meriton që vizita e tij mos të jetë e kotë, por që do të jetë i shpërblyer në botën tjetër, e cila e pret pa dyshime, dhe kjo dhuratë do të jetë shikimi në Fytyrën e Allahut Fisnik. Sepse, në këtë botë syri i njeriut, për shkak të mangësive të tij, nuk është i përgatitur të shohë dritën e shikimit në Fytyrën e Allahut të Lartëmadhërishëm dhe nuk është në gjendje të përballojë apo të zbukurohet me të. Por, vetëm kur syri i njeriut të begatohet me përhershmëri në botën tjetër dhe të lirohet nga shkaku i ndryshimeve dhe zhdukjes, vetëm atëherë bëhet i gatshëm për vështrim. Mirëpo, me vizitën e Qabesë dhe shikimin në të, syri i njeriut meriton takimin me Zotin e Qabesë, sepse ky është premtimi i Tij. Andaj mallëngjimi me siguri tërheq njeriun kah ajo që udhëzon drejt atij takimi. Njëkohësisht, edhe atë që dashuron me tërë forcën, lakmon kah i dashuri, duke iu dorëzuar atij, ndërsa Qaben e ka arsye të mjaftueshme për mallëngjim dhe dëshirë për të, e mos të flasim për përpjekjen që të fitohet ai shpërblim të cilin Allahu i Madhërishëm për këtë e ka premtuar.

VENDOSMËRIA

Vetëm me vendosmëri haxhiu mund të drejtohet në rrugë kah Shtëpia e Allahut të Madhërishëm, mund ta braktisë familjen e tij dhe atdheun e tij, mund t’i mposhtë dëshirat dhe epshet e tij, duke braktisur kënaqësitë e tij.
Për këtë haxhiu le të respektojë fuqishëm Qabenë dhe Zotin e Qabesë dhe le ta dijë mirë se ka vendosur për një vepër të lartë dhe madhore.
Le të jetë vendosmëria e tij kryesisht për hir të Allahut të Madhërishëm dhe le të mënjanojë nga zemra e tij përzierjet e syefaqësisë dhe dëshirës për nam. Le të jetë i sigurt që prej veprave të tij asgjë nuk do të pranohet, nëse nuk është sinqerisht dhe kryesisht në emër të Allahut, xh.sh., dhe që mëkati më i madh është të vendosësh ta vizitosh shtëpinë e Allahut dhe haremin e Tij, e që pas kësaj të jetë qëllimi tjetër, e jo Allahu i Lartësuar. Për këtë, me vetveten le ta pastrojë mirë qëllimin dhe vendosmërinë, le të hedhë gjithçka që mund të jetë për syefaqësi dhe dëshirë për nam dhe le të shikojë mirë që mos të zëvendësojë atë që është më e mirë me atë që është më e keqe.

MËNJANIMI I PENGESAVE

Mënjanimi i pengesave do të thotë kthimi i hakut të huaj dhe pendimi i sinqertë tek Allahu për shkak të mëkateve të bëra, sepse çdo padrejtësi e bërë është pengesë, ndërsa secila pengesë është si një borxh i arritur, i varur në qafë i cili vazhdimisht ta përkujtoj atë. Çfarë mendon, ku je nisur? A dëshiron ta vizitosh shtëpinë e Zotit të çdo sendi, ndërsa në shtëpinë tënde nuk kujdesesh për urdhërat e Tij? A nuk turpërohesh të vizitosh shtëpinë e Tij si një rob mëkatar, e të të kthejë dhe të refuzojë? Nëse vërtet dëshiron që vizita jote tek Ai të jetë e pranuar, atëherë zbatoji urdhrat e Tij, kryeji obligimet tuaja ndaj të tjerëve, pendohu për mëkatet e bëra, hiq dorë nga ato që tërheqin vëmendjen e zemrës tënde në drejtim tjetër, ashtu që edhe zemra jote të jetë sinqerisht e orientuar kah Allahu, xh.sh., dhe shtëpia e Tij, ashtu siç është edhe trupi yt. Nëse këtë nuk e bën, atëherë nga udhëtimi yt nuk do të kesh gjë tjetër, përveç vështirësive dhe lodhjes, dhe në fund do të jesh i refuzuar dhe i larguar.
Ndërprite lidhjen tënde me vendlindjen, si ai që mendon se nuk do të kthehet më asnjëherë.
Fëmijve tuaj dhe familjes lërja testamentin e shkruar, sepse udhëtari dhe pasuria e tij janë të rrezikuar, përveç atë të cilin e ruan Allahu i Madhërishëm. Gjatë mënjanimit të pengesave për udhëtim në haxh, përkujto edhe mënjanimin e pengesave para udhëtimit në Ahiret, sepse ky udhëtim është gjithnjë para teje dhe po aq afër, ndërsa udhëtimi në haxh është vetëm mjet për t’u lehtësuar udhëtimi për në Ahiret, si cak i fundit dhe përfundimtar. Për këtë, nuk duhet anashkaluar këtë udhëtim gjatë përgatitjeve për në haxhillëk.

PËRGATITJA E FURNIZIMIT (PËR UDHËTIM)

Para së gjithash, ato që i nevojiten haxhiut për udhëtim, le t’i kërkojë në vendet e lejuara. Kur në vete vëren ndjenjën se dëshiron të furnizohet, ashtu që asgjë mos t’i mungojë gjatë tërë udhëtimit deri te caku, le të përkujtojë faktin që udhëtimi në Ahiret është shumë më i gjatë se ky udhëtim, ndërsa furnizimi i tij është devotshmëria, ndërsa çdo gjë tjetër që ai mendon se është furnizim – është kalimtare dhe gjatë vdekjes do ta lëshojë, do ta tradhtojë dhe me siguri nuk do të shkojë me të, si ushqimi i freskët që prishet që në stacionin e parë të udhëtimit, e ky do të ngecë në hamendje, duke mos ditur çfarë të bëjë kur t’i nevojitet ushqimi: për këtë le të mendojë mirë dhe të përpiqet që veprat e mira, të cilat janë furnizim i tij për udhëtim në Ahiret, të jenë pranë tij pas vdekjes së tij dhe mos t’i prishen me përzierjet e syefaqësisë dhe të metave të tjera.

SIGURIMI I KAFSHËS KALËRUESE (MJETIT TË UDHËTIMIT)

Kur haxhiu e sjell kafshën kalëruese, me plot zemrën le të falënderojë Allahun e Madhërishëm që ia mundësoi të ketë mjet udhëtimi, i cili do t’i ndihmojë që më lehtë t’i përballojë vështirësitë e udhëtimit. Me këtë rast le të përkujtojë tabutin e xhenazes në të cilin do ta bartin në rrugën e tij për Ahiret, ngase në njëfarë mënyre udhëtimi në haxhillëk i përgjigjet udhëtimitt në Ahiret. Për këtë, le të shikojë mirë se a do t’i përgjigjet mjeti i udhëtimit për rrugën e tij, a do të jetë furnizim i duhur? Bartjes në tabut (arkivol) me siguri nuk do t’i shmanget askush, ndërsa përgatitja për udhëtim të lehtë mund të ndërpritet dhe ndalohet.
Andaj, si mund të ketë aq përgatitje për udhëtim i cili edhe mund të shtyhet, duke mos harruar asgjë nga furnizimi, e të anashkalohen përgatitjet për udhëtim që është i sigurt dhe i pashmangshëm?

BLERJA E IHRAMIT

Gjatë blerjes së ihramit, haxhiu le të përkujtojë qefinin, me të cilin do të jetë i mbështjellur. Sepse, ihramet do t’i veshë kur i afrohet shtëpisë së Allahut, e ndoshta edhe nuk do të arrijë deri aty, ndërsa takimi me Allahun e Madhërishëm, duke qenë i mbështjellur në qefin, është i pashmangshëm.
Ashtu, siç nuk mund t’i afrohet shtëpisë së Allahut, përveçse në petka të veçanta dhe të ndryshme nga të zakonshmet, ashtu pas vdekjes nuk do ta takojë Allahun e Madhërishëm, përveçse në petka të ndryshme dhe të veçanta nga këto të dynjasë. Natyrisht, ihramet janë të ngjashëm me qefinët, sepse edhe këta nuk janë të qepur.

FILLIMI I UDHËTIMIT

Gjatë nisjes në rrugë për në haxh, haxhiu duhet të jetë i vetëdijshëm se e lëshon familjen e tij, vendlindjen e tij dhe orientohet në rrugë kah Allahu i Madhërishëm, udhëtim i cili nuk i përgjigjet asnjë udhëtimi të kësaj dynjaje. Për këtë, në zemrën e tij duhet të dijë çfarë dëshiron konkretisht, kah udhëton dhe kë e viziton. Duhet të jetë i vetëdijshëm se është nisur nga Zoti i çdo gjëje, si individ në bashkësi të atyre që janë nisur në vizitë. Atij, në mesin e atyre të cilët janë thirrur dhe i janë përgjigjur thirrjes, tek të cilët ka lindur dëshirë e fuqishme dhe kanë synuar, të cilët janë thirrur që të ngriten dhe janë ngritur, të cilët kanë hequr dorë nga çdo gjë që pengon nga vizita, të cilët janë shmangur nga krijesat e tjera, të cilët janë nisur për Qabe, vend të cilin Allahu i Madhërishëm e ngriti, e dalloi dhe e përcaktoi vend të veçantë, duke qenë i mjaftueshëm takimi me të në vend të takimit me Zotin e saj, përderisa nuk u plotësohet dëshira më e madhe, kur do të jenë të lumtur me shikimin në Zotin e tyre.
Në zemrën tënde le të rritet ndjenja e shpresës në arritjen te caku i fundit dhe në pranimin e haxhit tënd, e jo të shpresosh në veprat tua, siç është udhëtimi dhe braktisja e familjes dhe pasurisë. Në vend të kësaj kultivoje sigurinë në mirësinë e Allahut dhe shpresën në premtimin e Tij se do t’i plotësojë lutjet e atyre që vizitojnë shtëpinë e Tij. Në vetvete kultivoje ndjenjën e shpresës, nëse nuk arrin te shtëpia e Allahut dhe në rrugë të zë vdekja, se do ta takosh Allahun e Madhërishëm si vizitues i Tij, sepse Allahu, xh.sh., ka thënë:
“E kush del prej shtëpisë si migrues te Allahu dhe i dërguari i Tij, dhe e zë vdekja (në rrugë), te Allahu është shpërblimi i tij.”(5)

UDHËTIMI NËPËR SHKRETËTIRË DERI TE VENDI I VESHJES SË IHRAMEVE DHE IMAZHI I SHTIGJEVE KODRINORE DHE I PËRPJETËZAVE MALORE

Gjatë këtij udhëtimi, haxhiu le të përkujtojë ato momente të cilat vijnë pas lëshimit të kësaj bote e deri tek qëndrimi në Ditën e Gjykimit dhe atyre tmerreve dhe kërkesave që do të jenë atëherë: kur mendon kriminelët (rrugës), le të përkujtojë tmerret e pyetjeve të Munkirit dhe Nekirit; kur mendon për bishat e shkretëtirës, le të përkujtojë merimangat, krimbat, gjarpërinjtë dhe kafshët e tjera në varr; kur mendon për atë si e ka braktisur familjen dhe farefisin, le të përkujtojë si do të qëndrojë vetëm në varr. Për këtë, përkujtimi për këto tmerre në fjalët dhe veprat le t’ia zhvillojë frikën e varrit.

VESHJA E IHRAMEVE NË MIKAT DHE THËNIA E TELBIJES

Haxhiu le të bëhet i vetëdijshëm se përgjigjja e tij është në ftesën e Allahut të Madhërishëm. Për këtë le të shpresojë dhe dëshirojë që përgjigjja e tij të jetë e pranuar dhe le të frikësohet që mos t’i thuhet: “Përgjigjja jote nuk pranohet!” Dhe kështu, vazhdimisht le të jetë në mëdyshje në mes shpresës dhe frikës dhe aspak mos të mbështetet në fuqinë dhe trimërinë e tij, por le të mbështetet në mirësinë e bujarinë e Allahut. Koha e thënies së telbijes është vetëm fillim i frikës. Sufjan ibn Ujejne tregon: “Në haxh ishte nisur Ali ibn el Husejni, r.a. Kur i veshi ihramet dhe hypi në deve, u zbeh në fytyrë, trupi i dridhej, sikur ta kishte goditur rrufeja. Nuk ishte në gjendje ta thoshte telbijen. Kur u pyet, përse nuk e thoshte telbijen, u përgjigj: »Frikësohem nga përgjigjja: “Thirrja jote nuk pranohet!” Kur e tha telbijen, humbi vetëdijen dhe ra nga deveja. Kjo gjendje e përcolli derisa nuk i përfundoi obligimet e haxhit.”
Ahmed ibn ebu el Havariu tregon: “Kam qenë me Ebu Sulejman ed Daraniun, r.a., kur i veshi ihramet. Kaluam një milje dhe ai ende nuk e thoshte telbijen. Humbi vetëdijen dhe kur u zgjua tha: »O Ahmed! Allahu i Madhërishëm i shpalli Musait, a.s.: “Thuaju të këqinjve të benu israilëve që më pak të më përkujtojnë, sepse kur të tillët më përkujtojnë Mua, Unë mbi ata sjelli mallkime.” Mjerë ti, o Ahmed!« Kam dëgjuar që ai i cili kryen haxhin, por jo në emër të Allahut, xh.sh., (me mjete haram) dhe kur fillon të thotë telbijen, Allahu i Madhërishëm përgjigjet: “Thirrja jote nuk pranohet, përderisa nuk e kthen atë që ke në duart tua!” Nuk jemi të sigurt që edhe neve mos të na thuhet ashtu.” Kur haxhiu në mikat thotë me zë telbijen, le të përkujtojë përgjigjen në ftesën e Allahut, xh.sh.:
“Dhe thirr ndër njerëz për haxhin,…”(6)
Le të përkujtojë thirrjen e cila do t’u drejtohet të gjithë krijesave kur fryhet në sur (bori) dhe kur të gjithë, në një vend të ngushtuar, të mbledhur, do t’i përgjigjen thirrjes së Allahut dhe të ndarë në grupe të atyre që janë afër Allahut dhe ata që janë të mërrishëm nga Ai, në grupe të atyre që janë të pranuar dhe të atyre që janë të refuzuar dhe të atyre që janë në mes të frikës dhe shpresës, mu sikur haxhiu në mikat që është në mëdyshje dhe padituri se a do të ketë sukses ta kryejë haxhillëkun dhe a do t’i pranohet apo jo.

HYRJA NË MEKË

Gjatë hyrjes në Mekkë haxhiu le të jetë i vetëdijshëm se ka arritur i sigurt deri te Haremi dhe le të shpresojë që kjo hyrje ta ruajë nga dënimi i Allahut. Le të frikësohet që mos të jetë prej atyre të cilët nuk e kanë merituar afërsinë e Haremit, dhe që e kanë tradhtuar këtë nder dhe me këtë kanë merituar hidhërimin e Allahut.
Në të gjitha situatat le të dominojë shpresa e tij që bujaria e Allahut përfshin çdo gjë, që Zoti është i Mëshirshëm, se nderi dhe shenjtëria e Qabës është e lartë, se ka kujdes në të drejtën e vizitorit, por se edhe mbrojta e atij, i cili tek Allahu kërkon stehim, është e sigurt.

SHIKIMI I QABES

Kur shikon Qaben, haxhiu në zemrën e tij duhet të ndiejë madhështi dhe lartësinë e saj, sikur ta shihte të Zotin e saj, sepse Ai aq shumë e madhëron dhe lartëson. Le të shpresojë që Allahu i Lartëmadhërishëm do ta dhurojë me shikimin në fytyrën e Tij fisnike dhe të lartësuar, ashtu si i dhuroi shikimin e shtëpisë së Tij. Le të falënderojë Allahun, xh.sh., që i mundësoi të arrijë këtë shkallë dhe që e radhiti në grupin e atyre që kanë arritur tek Ai. Me këtë rast le të përkujtojë edhe qëndrimin e njerëzve në Ditën e Gjykimit kundruall Xhennetit, me shpresë se do të jetë prej atyre që do të hyjnë në të, dhe le të përkujtojë që atëherë do të jenë të ndarë në grupe të atyre të cilëve do t’u lejohet hyrja dhe grupet e atyre që do t’u ndalohet hyrja; kështu edhe haxhilerët do të ndahen sipas haxhillëkut të tyre: njerëzve haxhinj do t’u pranohet, e të tjerëve do t’u refuzohet. Haxhiu nuk duhet ta largojë nga mendja Ahiretin, sepse çdo gjë që sheh dhe përjeton në haxh është argument i gjendjeve të njëjta edhe në Ahiret.

TAVAFI RRETH QABES

Haxhiu duhet të dijë se tavafi rreth Qabes është namaz, dhe për këtë në të duhet të ndiejë madhështi, frikë, shpresë dhe dashuri, ashtu siç e kemi shpjeguar kur kemi folur për namazin. Le të jetë i vetdijshëm se duke bërë tavaf, bën atë që veprojnë melekët e afërt të Allahut, xh.sh., duke u sjellur rreth Arshit. Assesi mos të mendojë që esenca e tavafit është sjellja fizike rreth Qabes, por sjellje e zemrës me përkujtime (dhikr) në Zotin e Qabes. Ky dhikër le të fillojë vetëm nga zemra dhe aty le të përfundojë. Haxhiu duhet të dijë se tavafi rreth Qabes në realitet është tavafi i zemrës, e cila fuqishëm ndien varësinë nga Zoti, ndërsa Qabja është vetëm formë e kësaj ndjenje në botën e dëshmisë së fuqisë së Allahut, varësi e cila nuk shihet por e cila në realitet është bota e pushtetit të Allahut (alemul-melekut). Gjithashtu, trupi është forma e jashtme në botën e paraqitjes (alemul-shehadet), për zemrën e cila nuk sheh me sytë dhe gjendet në botën e padukshem (alemul-gajb), ndërsa bota e dëshmisë së fuqisë së Allahut (alemul-mulk) dhe bota e dukshme paraqesin mjet për udhëtim në botën e padukshme dhe në botën e pushtetit të Allahut, për ata që Allahu i Madhërishëm ua hap derën. Për këtë krahasim bëhet fjalë kur thuhet se Tempulli është mbushur me vizitorë (Bejt Mamur), në qiej është i mbuluar me mbulesën e Qabes dhe melekët bëjnë rreth saj tavaf, mu sikurse njerëzit që bëjnë tavaf rreth Qabes.
Por, meqë shumica e njerëzve nuk është në gjendje të bëjë kësi lloj tavafi iu është urdhëruar që të imitojnë melekët në kufijtë e mundësive të tyre dhe iu është premtuar:
“Kush gjason me një popull, atij edhe i takon.”(7)
E për ata që janë në gjendje të bëjnë tavaf të tillë është thënë që Qabja i viziton ata dhe ajo bën tavaf rreth tyre, të cilën e kanë dëshmuar disa që me zemër dëshmojnë (mukashifun) për disa rob të sinqertë të Allahut (evlija).

PREKJA E GURIT TË ZI

Gjatë prekjes së Gurit të Zi, haxhiu le të jetë i bindur që Allahut të Madhërishëm ia ka dhënë besën në bindje dhe në këtë rrugë le të vazhdojë me vendosmëri dhe le t’i mbetet besnik premtimit të tij, sepse ai i cili e tradhton besën, e ka merituar hidhërimin e Allahut, xh.sh.
Ibn Abbasi transmeton nga i Dërguari i Allahut, s.a.v.s., që ka thënë:
“Guri i Zi është e djathta e Allahut të Madhërishëm në tokë, me të cilën Ai ua zgjat dorën krijesave të Tij, sikurse njeriu që ia zgjat dorën vëllait të vet.”(8)

MBAJTJA E MBULESËS SË QABES DHE QËNDRIMI PARA DERËS SË SAJ

Me këtë rast haxhiu sinqerisht le të kërkojë afërsinë e Allahut, duke treguar dashurinë dhe mallëngjimin për Qaben dhe Zotin e saj, duke kërkuar mirësinë e Allahut, duke shpresuar në mbrojtjen e Tij nga zjarri, e çdo pjese të trupit të tij, e jo mbrojtjen e Qabes. Kur kapet për mbulesën e Qabes, le të ketë qëllim që mos të ndalet në kërkimin e faljes së Allahut dhe sigurisë, mu si kapet mëkatari për petkun e atij ndaj të cilit ka gabuar, duke e lutur për falje dhe duke ia bërë të ditur se vetëm ai mund ta falë, dhe që nuk do ta lëshojë derisa nuk e fal dhe nuk i premton siguri në ardhmëri.

SA’JI NË MES SAFFASË DHE MERVES

Ecja (sa’ji) në mes Saffasë dhe Merves në realitet është ecja në hapësirën e Allahut të Lartësuar, duke ardhur dhe shkuar dhe me këtë rast duke treguar sinqeritetin dhe besnikërinë ndaj Tij, duke shpresuar mëshirën e Tij, mu sikurqë njeriu hyn në pallatin mbretëror dhe del, duke mos ditur se a ia ka pranuar mbreti kërkesën apo ia ka refuzuar, andaj ec nëpër oborrin gjithnjë duke shpresuar se mbreti do ta mëshirojë. Duke ecur në mes Saffasë dhe Merves, haxhiu duhet të përkujtojë ecjen në mes dy taseve të peshojës në Ditën e Gjykimit; Saffaja është tasi i veprave të mira, ndërsa Merveja është tasi i veprave të këqija, andaj le të ketë ndjenjën e ecjes në mes këtyre dy taseve, duke pritur cili tas do të mbipeshojë dhe çfarë pas kësaj do të pasojë – dënimi apo falja.

QËNDRIMI NË AREFAT

Qëndrimi në Arefat, tollovia, zhurma, gjuhët e ndryshme, njerëzit që pasojnë udhëheqësit e tyre, duke i përcjellur në kryerjen e ritualeve dhe thënien e lutjeve, të gjitha këto haxhiut duhet t’ia përkujtojnë qëndrimin në Ditën e Gjykimit, kur do të mblidhen tërë popujt, secili me pejgamberin e vet, duke pasuar atë dhe duke dashur ndërmjetësimin (shefatin) e tij, në pasiguri se a do të jetë i pranuar apo i refuzuar.
Kur ta përkujtojë këtë, zemra le t’i mbushet me respekt të thellë dhe lutje drejtuar Allahut të Madhërishëm. Ndoshta kjo do të jetë ajo që do t’a ngjallë në grupin e suksesshëm, të atyre të cilët i ka përfshirë mëshira e Allahut. Shpresat e tij, haxhiu duhet t’ia bashkangjit me bindjen se Allahu i Lartësuar do ta pranojë lutjen, sepse Arefati është vend i nderuar dhe mëshira e Allahut arrin te secila krijesë nëpërmes të zemrave të dashura të robve fisnikë të Allahut në Tokë. Në Arefat gjithmonë ndodhen rob të Allahut të sinqertë, fisnikë dhe të zgjedhur, dhe kur bashkohen dëshirat e tyre, kur zemrat e tyre me respekt të thellë drejtohen kah Allahu, xh.sh., kur duart dhe qafat e tyre drejtohen kah Zoti, kur shikimet e tyre orientohen kah qielli, dhe kur të gjithë, si një shpirt, me bindje kërkojnë mëshirën e Allahut, assesi mos mendo që Allahu i Madhërishëm do t’i braktisë shpresat e tyre, t’i lërë anash përpjekjet e tyre dhe të cungojë mëshirën e Tij.
Për këtë është thënë se mëkati më i madh i njeriut është të vijë në Arefat dhe të mendojë që Allahu i Madhërishëm nuk do t’i falë, sikurse edhe të dyshojë në vendosmërinë dhe bindjen në praninë e të sinqertëve, të ndershmëve dhe robve të zgjedhur të Allahut nga vendet e ndryshme të botës, apo në esencën e haxhit dhe qëllimine fundit. Për këtë dëshirat e bashkuara dhe përpjekjet dhe bashkëpunimi i ndërsjellë i zemrave në të njejtën kohë dhe në të njejtin vend, është mënyra më e mirë që të përfitohet mëshira e Allahut, xh.sh.

HEDHJA E GURALECËVE

Me gjuajtjen e guralecave, haxhiu duhet të tregojë përuljen ndaj urdhërit të Allahut dhe të tregojë robërimin dhe nënshtrimin ndaj Allahut, xh.sh., si dhe gatishmërinë (në kryerjen e këtij obligimi), pa përzierjen e mendjes dhe shpirtit. Më pastaj, le të jetë i vetëdijshëm që këtë e bën duke u identifikuar me Ibrahimin, a.s., kur në të njejtin vend i erdhi Iblisi, Allahu e mallkoftë, duke u orvatur që ta vë në dyshim haxhillëkun e tij, duke e nxitur në mëkat, dhe që Allahu i Madhërishëm e urdhëroi që ta gurëzojë, në mënyrë që ta largojë dhe t’ia ndërpresëj dëshirat dhe shpresat e tij. Andaj, nëse haxhiu mendon: “Iblisi i erdhi Ibrahimit, a.s.; ai e pa dhe për këtë e gjuajti me gurë, por mua shejtani nuk do të më vijë dhe nuk do të ndalet para meje” – me siguri le ta dijë se një mendim i tillë është vërtet mendim i shejtanti, të cilin ai ia ka mbjellur në zemër për t’ia dobësuar vendosmërinë e tij për të gjuajtur guralecët dhe të mendojë se nga ky veprim nuk ka kurrfarë dobie, dhe se kjo është një lojë e rëndomtë, të cilës nuk duhet dhënë ndonjë rëndësi. Këso mendimesh haxhiu duhet menjëherë t’i largojë nga vetja, ashtu që me vendosmëri të niset në gjuajtjen e guralecëve, përkundër përpjekjeve të shejtanit që ta prapësojë. Haxhiu le të dijë se ai me të vërtetë i gjuan guralecët në xhemret, por në thelb ai gjuan shejtanin dhe ia thyen kurrizin e tij, ngase njeriu mund të nënshtrojë shejtanin vetëm nëse i nënshtrohet urdhërit të Allahut, duke e lartëmadhëruar Atë dhe se e kryen këtë veprim vetëm për arsye se ky është urdhër i Tij, duke mos i bërë ndërhyrje mendjes dhe shpirtit.

THERJA E KURBANIT

Haxhiu duhet të dijë se me therjen e kurbanit i afrohet Allahut, xh.sh., duke e kryer obligimin e Tij. Për këtë shkak le ta kryejë këtë obligim në tërësi dhe le të kultivojë në vete ndjenjën e shpresës që Allahu i Madhërsishëm në çdo pjesë të kurbanit të tij do ta lirojë nga zjarri, pjesët e trupit të tij.(9)
Kështu është premtuar: sa më i madh që të jetë kurbani dhe sa më tepër të ketë mish, shpagimi yt nga zjarri është më gjithpërfshirës.

VIZITA E MEDINËS

Kur haxhiu i sheh muret e Medinës, le të përkujtojë se ky është qyteti të cilin Allahu i Madhërishëm e zgjodhi të jetë qytet i të Dërguarit të Tij, s.a.v.s., të jetë vendi i emigrimit të tij, vendi ku ai do të vendosë ligjet e Allahut dhe synetin e tij, vendi ku luftoi kundër armiqve dhe vendi ku do të lartësojë fenë e Allahut, përderisa Allahu i Madhërishëm nuk e mori tek Vetja. Pas kësaj Allahu i Madhërishëm e bëri që Medina të bëhet vendi i varrit të Pejgamberit, a.s., dhe dy shokëve të tij, r.a., të cilët e trashëguan. Haxhiu le të mendojë vendet e gjurmëve të këmbëve të Pejgamberit ku ka ecur dhe të jetë i vetëdijshëm se nuk ka asnjë vend kuë nuk ka shkelur këmba e tij e nderuar. Për këtë, në këto vende le të ecë i qetë dhe dinjitoz, duke përkujtuar ecjen e Pejgamberit, a.s., nëpër rrugicat e Medinës, duke e paramenduar ecjen e qetë dhe dinjitoze të tij. Gjithashtu le të mendojë për atë se si Allahu i Madhërishëm e ka mbushur zemrën e tij me njohuri dhe dhikrullah, ashtu që e ka krahasuar përkujtimin e Allahut me përkujtimin e Pejgamberit, a.s., dhe që ai e ka gjykuar me shkatërrim çdo vepër të atij që e lëndon dritën e tij, bile qoftë edhe me ngritjen e zërit mbi zërin e tij. Më pastaj le të përkujtojë mirësitë e Allahut të cilat Ai ua dhuroi atyre që ishin me Pejgamberin, s.a.v.s., të cilët e kanë parë atë dhe i kanë dëgjuar fjalët e tij, dhe le t’i vijë tepër keq për atë që nuk ka qenë me të dhe shokët e tij, r.a.
Më pastaj le të përkujtojë që Pejgamberin, s.a.v.s., nuk e ka parë në këtë botë, ndërsa pamja e tij në botën tjetër është pikëpyetje; ndoshta edhe do ta shohë, por le të ndiejë keqardhje kur sheh se në mes të tij dhe Pejgamberit, s.a.v.s., janë pengesat e veprave të tij të këqija, sepse i Dërguari i Allahut, s.a.v.s., ka thënë:
“Allahu i Madhërishëm do të m’i paraqet njerëzit, të cilët do të më thërrasin: “Muhamed! Muhamed!” Unë do të them: “O Zot! Këta janë shokët e mi!” Ndësa Ai do të përgjigjet: “Ti nuk di çfarë risie kanë sjellë pas teje!” Atëherë unë do të them: “Mos u dëgjoftë dhe qoftë larg!”(10)
Për këtë arsye, nëse haxhiu e anashkalon shenjtërinë e ligjit të Allahut, xh.sh., qoftë edhe për një moment, le të mos jetë i sigurt se kjo nuk do ta pengojë në mes atij dhe Pejgamberit, s.a.v.s. Andaj haxhiu duhet ta kultivojë shpresën e madhe, duke lutur Allahun e Madhërishëm që të mos vendosë pengesë në mes tij dhe Pejgmaberit, s.a.v.s., pasi që ia dhuroi imanin dhe atë e zgjodhi nga atdheu i tij për ta vizituar Pejgamberin, duke mos i rënë ndërmend me këtë rast as tregtia, as ndonjë dobi tjetër e kësaj bote, por vetëm sinqeriteti, dashuria dhe mallëngjimi që t’i shohë gjurmët e tij dhe murin e varrit të tij, të cilën gjë nuk ka mundur ta shohë gjatë jetës së tij, e që aq shumë ka nevojë për mëshirën e Allahut xh.sh.
Kur të vijë tek Xhamia e Pejgamberit, s.a.v.s., le të përkujtojë që këtë hapësirë Allahu i Madhërishëm e zgjodhi për Pejgmberin e Tij, s.a.v.s., dhe shokët e tij, grupin më të ndershëm (gjeneratën e artë); që kjo është hapësira në të cilën është filluar aplikimi i dispozitave të Allahut dhe i cili i ka mbledhur krijesat më të bukura të Allahut – të gjallë e të vdekur.
Andaj haxhiu le të shpresojë dhe të presë mëshirën e Allahut gjatë hyrjes në këtë xhami. Gjatë hyrjes, me atë rast, le të jetë modest, i përulur dhe dinjitoz, sepse ku përveç këtu, zemra e secilit besimtar do të mbushet me përulësi dhe respekt të thellë. Transmetohet nga Ebu Sulejmani se ka thënë:
“Uvejs el Karaniu, r.a., ka qenë në haxhillëk. E vizitoi Medinën dhe kur erdhi tek dyert e Xhamisë së Pejgmberit, a.s., ia treguan varrin e të Dërguarit të Allahut, s.a.v.s., dhe ai e humbi vetëdijen. Kur u zgjua, tha: “Më largoni nga këtu! Nuk mund të kënaqem me jetën në vendin ku është i varrosur Muhamedi, s.a.v.s.”

VIZITA E TË DËRGUARIT TË ALLAHUT, S.A.V.S.

Gjatë vizitës së Pejgmberit, s.a.v.s., haxhiu duhet të qëndrojë para varrit të tij në mënyrën që e kemi shpjeguar më parë. Vizita e varrit të tij duhet të jetë e njejtë si të ishte ai i gjallë në këtë jetë. Haxhiu duhet t’i afrohet varrit të tij, për aq sa do t’i afrohej Pejgmberit, s.a.v.s., po qe se ai do të ishte gjallë, dhe jo ta prekë as ta puthë, por të qëndrojë para tij në distancë të caktuar, pak i kërrusur; kështu do të sillet edhe me këtë rast. Prekja dhe puthja e varrit është zakon i të krishterëve dhe hebrenjve. Haxhiu duhet të jetë i vetëdijshëm se i Dërguari i Allahut, s.a.v.s., e di që ai është aty dhe që tek ai vijnë selamet dhe salavatet e tij, prandaj të qëndrojë në atë vend. Për këtë haxhiu në vete le të mendojë trupin e tij të vendosur në varr para tij dhe le të jetë i vetëdijshëm për pozitën e lartë të tij.
Transmetohet nga i Dërguari i Allahut, s.a.v.s.:
“Allahu i Madhërishëm e ka obliguar melekun te varri i tij që t’ia sjellin selamet e atyre që i sjellin selame nga ymeti i tij.”(11)
Kjo ka të bëjë me ata që nuk kanë ardhur deri te varri i të Dërguarit të Allahut, s.a.v.s., e si është pra për ata që e kanë lëshuar vendlindjen e tyre, duke kaluar tërë atë rrugë të gjatë nga dashuria dhe mallëngjimi për takimin me të dhe të cilët janë të kënaqur me atë që të shohin vetëm varrin e tij, pasi që nuk kanë mundur ta shohin sa ka qenë gjallë!?
I Dërguari i Allahut, s.a.v.s., ka thënë:
“Kush më dërgon mua një salavat, Allahu i Madhërishëm do t’ia kthejë atij me dhjetë salavate.”(12)
Pra, salavati i Allahut do të jetë shpërblimi për salavatin e tij dërguar Pejgamberit, s.a.v.s., e çfarë do të jetë shpërblimi për ardhje dhe vizitë!?
Pastaj haxhiu le t’i afrohet mimberit të të Dërguarit të Allahut, s.a.v.s., dhe le të mendojë në ngritjen dhe dinjitetin në paraqitjen e tij në mimber, i rrethuar nga muhaxhirët dhe ensarët, r.a., ndërsa ai në hytben e tij i kurajon në bindje ndaj Allahut të Madhërishëm; le t’i lutet Allahut, xh.sh., që në Ditën e Gjykimit mos ta ndajë nga Pejgamberi s.a..v.s.
Këto ishin detyrimet e zemrës gjatë kryerjes së veprimeve të haxhit dhe kur haxhiu i përfundon këto, zemra e tij duhet të jetë e mërzitur, e vendosur, e mbushur me frikë dhe vetëdije që nuk di a është i pranuar haxhillëku i tij apo jo, a është radhitur në grupin e të dashurve apo i refuzuar me dezertuesit.
Le të përpiqet ta mësojë këtë me ndërmjetësimin e zemrës së tij dhe veprave të tij, dhe nëse vëren se zemra e tij është e vrazhdë kundruall kësaj dynjaje mashtruese dhe që është kthyer kah Ahireti dhe që vëren se veprat e tij janë të përputhura me ligjin e Allahut, le të jetë i sigurt që haxhi i tij është pranuar, sepse Allahu i Madhërishëm pranon vetëm prej atyre që Ai i dashuron dhe atë që Ai e dashuron, e merr për mik dhe ia tregon shenjat e dashurisë së Tij dhe duke e larguar nga armiku i tij Iblisi, Allahu e mallkoftë.
Andaj nëse në vete sheh këto shenja, kjo do të thotë se haxhi i tij është i pranuar, ndërsa nëse sheh të kundërtën, ndoshta nga haxhi i tij do të ketë vetëm lodhje dhe raskapitje, na ruajtë Allahu nga kjo.

1). El Maide, 82
2). Hadithin e shënon Ebu Davudi në transmetim të Ebu Umames, kur një njeri erdhi te i Dërguari i Allahut, s.a.v.s., dhe kërkoi leje që të vetmohet dhe të jetojë një jetë asketizmi, ai iu përgjigj: “Asketizmi i ymetit tim është xhihadi në rrugën e Allahut. Në secilin popull ka asketizëm, ndërsa asketizmi i ymetit tim është guximi dhe qëndrueshmëria përpara armikut.” El Bejhekiu në Esh Shuabu e sheh transmetimin nga Enesi: “Asketizmi i ymetit tim është xhihadi në rrugën e Allahut.” Asnjëri prej këtyre transmetimeve nuk është i besueshëm. Hadithin e përmendur e shënon edhe Et Tirmidhiu, duke e konsideruar si hadith hasen, En Nesai në veprën “El Jeum ve lejle” dhe Ibn Maxheh në transmetim të Ebu Hurejres që një njeri erdhi te Pejgamberi, s.a.v.s., dhe e pyeti: “Kam vendosur të nisem për rrugë, andaj më këshillo!” Pejgamberi, s.a.v.s., i tha: “Gjithmonë bëhu i vetëdijshëm për Allahun, xh.sh., dhe thuaj tekbir në çdo lartësi.”
3). Hadithin e shënon el Bejhekiu në Esh Shuabu, në transmetim të Ebu Hurejres dhe thotë: “Kjo është e mbajtur mend nga Ubejd ibn Omeri, e ky nga Omeri – është hadith mursel.”
4). Hadithin e kemi cituar në Librin për zekatin
5). En Nisaë, 100
6). El Haxhxh, 27
7). Hadithin e shënon Ebu Davudi, me transmetim të Ibn Omerit, me varg transmetues të sigurt
8). Hadhithin e kemi cituar kur kemi folur për shkencën, me transmetim të Abdullah ibn Amrit
9). Hadithin e cituar nuk e kanë gjetur në burime. Ebu Shejh në veprën “Kitab ed Dahaja”, shënon transmetimin e Ebu Seidit; për pikën e parë të gjakut që liron kurbani do të ketë shpërblim, e kjo është falja e gabimeve të liruara. Këto fjalë ia tha Pejgamberi, s.a.v.s., Fatimes, mirëpo vargu i transmetuesve të këtij hadithi është i dobët
10). Hadithi është muteffekun alejhi në transmetim të Ibn Mes’udit, Enesit dhe të tjerëve, por pa fjalët: “Muhamed! Muhamed!”
11). Hadithin e shënon En Nesai, Ibn Hibbani dhe El Hakimi në transmetim të Ibn Mes’udit: “Vërtet Allahu i Madhërishëm ka melekët që qarkullojnë nëpër Tokë duke m’i sjellë selamet e ymetit tim”.
12). Hadithin e shënon Muslimi në transmetim të Ebu Hurejres dhe Abdullah Ibn Amrit

Ebu Hamid Muhammed el-Gazali – Ihjau ulumid-din
Përktheu dhe përshtati:
Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi