Shkruan: Artan Musliu
Sot, derisa po udhëtoja për Prishtinë kisha të hapur radio Dukagjinin. Po e dëgjoja, rastësisht, një prej emisioneve të tij “RADAR”.
Në emision kërkohej ndihmë për një rast që ishte diagnostifikuar me kancer. Dhe për shërim kërkohej një shumë prej 20.000€. Fëmijët që kishin ardhur në studion e emisionit dhe kërkonin ndihmë për nënën e tyre që i duhej shërim jashtë vendit.
Gjatë kohës sa pranonin telefonata, dëgjuesit ishin të gjithë të emocionuar dhe paratë e dhuruara nuk ishin thjeshtë para. Ato ishin pjesë e shpirtit të tyre, pjesë e bukës së ndarë, pjesë e planifikimeve të tyre financiare. Po thuajse të gjithë ishin të rrëmbyer nga lotët dhe emocionet.
Fal Zotit dhe shpirtit human që ka ky popull, në një emision të një prej radiove vendore, për diku rreth dy ore arrihet që të grumbullohet kjo shumë.
Shumica e parave që dhuroheshin e tejkalonin shumën prej 100€ dhe që i bie gjysma e pagës mesatare në Kosovë.
Ky popull do mbijetojë fal këtij shpirtit të madh human, fal kësaj sakrifice dhe gatishmërie për të qenë një shpirt dhe një trup sa herë që e kërkon nevoja.
Por, ajo që të bënë të shqetësohesh është shkaku përse jemi në këtë gjendje…?
Përse, ka nevojë që të shfrytëzohet buka e gojës së popullit përderisa në vendin tonë ka milioner, ka të tillë që bartin veshje mijëra eurosh, të tillë që drekojnë dhe darkojnë me mija euro, të tillë që kalojnë pushime qindra mija eurosh…?
Kur do i vij fundi i kësaj katrahure në të cilën ndodhet vendi jonë…?
Kur do vije dita kur nuk do ketë më nevojë që zbrazen xhepat e zbrazur të popullit tonë…?
Kur do vije ajo ditë që çdo gjë do jetë në vendin e duhur dhe do funksionojë në mënyrën më të mirë të mundshme…?
Me keqardhje më duhet të mendoj, për të mos them të bindem, se klasës sonë politike i ka vdekur ndërgjegjja prej kohësh. E edhe në këtë kohë fushate, kur të gjithë vrapojnë pas përfitimit te të tjerëve, është fuqia e Zotit ajo që të mohon një gjë të tillë. Ngase, Zoti e kërkon sinqeritetin andaj ata që sot patën rastin të ndihmojnë le ta dinë se ata ishin të përzgjedhur nga Zoti për të qenë human dhe mbi të gjitha njerëzorë.
Shpresa e vetme që të mban gjallë këtu është fakti se ende ka ndryshues, ende ka të tillë që dëshirojnë të jenë pjesë e proceseve, ende ka shpirt gjallërie, dhe ende nuk jemi pozicionuar në cilësinë e vëzhguesit…!
Faleminderit Zot, që na ke bërë pjesë të kësaj shoqërie me një shpirt kaq të madh e humanist.