Shpeshtohen plaçkitjet, Policia e Kosovës me masa rigoroze ndaj atyre që bien ndesh me Ligjin

Policia e Kosovës ka ndërmarrë masa më rigoroze duke shtuar patrullime policore përfshirë dhe njësitet policore me armë të gjata.

E gjithë kjo për një reagim sa më efektiv në rast se paraqitet nevoja, marrë parasysh se rastet e grabitjeve në vend kohëve të fundit janë shpeshtuar.

”Policia ka ndërmarr masa më rigoroze duke intensifikuar veprimet inteligjente dhe operacionale, – janë shtuar patrullimet policore përfshirë edhe njësitet policore me armë të gjata, për një reagim sa më efektiv në rast se paraqitet nevoja dhe kushdo që bie ndesh me ligjin duke cenuar rendin apo sigurinë e qytetarëve do të përballet me forcën e ligjit”, ka thënë Zëdhënësi i Policisë së Kosovës Daut Hoxha.

Tutje duke iu referuar rasteve të fundit të vjedhjeve të cilat dhe janë shpeshtuar në disa zona, ku kryesisht po plaçkiten filiale të ndryshme bankash, Hoxha për Klan Kosovën, deklaroi se krahasuar me vitin e kaluar, këto akte kanë shënuar rënie.

”Muajve të fundit të këtij viti kanë qenë evidente raportime te rasteve të vjedhjeve dhe grabitjeve ku ka pasur edhe informacione për shfaqje apo përdorim edhe te armëve të zjarrit gjatë kryerjes së këtyre veprave kriminale, bazuar në analizën e statistikave në Policinë e Kosovës, sipas krahasimeve këtë vit me vitin e kaluar për periudhën e njëjtë kohore veprat penale kundër pasurisë përfshire vjedhjet dhe grabitjet, megjithatë kanë shënuar rënie”.

”Më shumë raste të vjedhjeve dhe grabitjeve janë shënuar në rajonin e Prishtinës, pasuar nga Ferizaj, Gjilani e Peja”.

Ai nuk ka mohuar faktin që shpesh herë edhe zyrtarët policorë iu ekspozohen rreziqeve gjatë intervenimeve, ku rast të fundit kemi plagosjen e sotme të një polici kur ndërhyu gjatë një vjedhjeje në një bankomat në Veternik.

”Shpesh zyrtaret tanë policor i ekspozohen edhe rreziqeve dhe gjatë intervenimeve policore në raste të vjedhjeve apo grabitjeve të ndryshme që kohëve te fundit kanë qenë më të theksuara, ka pas edhe përdorim/shkëmbim te armëve te zjarrit dhe gjatë ballafaqimit me individ apo grupe kriminale kemi pasur edhe zyrtar policor të lënduar”.

”Ka pasur edhe raste ku të dyshuarit janë kapur në flagrancë duke u përpjekur t’i ikin policisë, siç është rasti në Lipjan me rastin e grabitjes në një filial mikrofinanciar, me që rast një i dyshuar është arrestuar dhe hetime tjera janë ende në proces nga njësitet kompetente policore”.

Tutje Hoxha për rol të rëndësishëm për parandalim të të tilla rasteve, përmend edhe shkëmbimin e informacioneve, raportimin e drejtë dhe me kohe të rasteve dhe informatat e nevojshme nga qytetarët, njofton Klan Kosova.