Ballina Lajmet Kosovë Shpërthimi në Zubin Potok, Zeqiri: Ndodhi në shtëpinë e ish-kryetarit të komunës

Shpërthimi në Zubin Potok, Zeqiri: Ndodhi në shtëpinë e ish-kryetarit të komunës

Një shpërthim ka ndodhur mbrëmë, në ora 23:30 në komunën e Zubin Potokut, nga i cili dyshohet se u shkaktua edhe një zjarr në një ndërtesë të pabanuar e të papërfunduar.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani.

“Në Zubin Potok është raportuar një shpërthim nga i cili dyshohet se ka shkaktuar edhe një zjarr në një ndërtesë të pabanuar e të papërfunduar”, tha ai.

E lidhur me këtë, kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri në një deklaratë për Telegrafin bëri të ditur se shpërthimi ka ndodhur në shtëpinë e ish-kryetarit të komunës, Stevan Vuloviq.

“Dënoj fuqishëm sulmin e mbrëmshëm ndaj pronës së ish kryetarit të komunës së Zubin Potokut dhe apeloj te organet e rendit që sulmuesit t’i kapin dhe t’i vënë para drejtësisë. Sulmet e ngjashme të cilat po ndodhin kundër jetës dhe pronave të qytetarëve janë të papranueshme dhe nuk do të na ndalin në punën dhe angazhimet tona për rehati, rend dhe ligj”, tha ai.

Ndryshe, siç merr vesh Telegrafi në tre muajt e fundit është shpërthimi i katërt që ka ndodhur në Komunën e Zubin Potokut, kryesisht tek bashkëpunëtorët e kryetarit, Izmir Zeqiri nga komuniteti serb.

Exit mobile version