Drejtori i Klinikës së Kirurgjisë Plastikë në Qendrën e Klinikes Universitare të Kosovës (QKUK), Zenë Buja ka treguar për gjendjen e pacientëve të cilët u lënduan nga shpërthimi i një bombole gazi të martën në Ferizaj.
Ai tregoi se nga 14 pacientë sa janë trajtuar në QKUK, 6 prej tyre me djegie me të thella janë në Klinikën Intensive e në mesin e tyre edhe një 20 vjeçare e cila është në gjendje më të rëndë shëndetësore.
Ndërsa 8 të tjerë me djegie më të mesatarisht të rënda janë duke u trajtuar në Klinikën e Kirurgjisë Plastike.
“Dje ne i kemi trajtuar 14 pacientë prej tyre 6 pacientë për shkak sipërfaqe të djegieve të thella janë udhëzuar për mjekimin intensiv qendror. Ndërsa 8 të tjerë janë me djegie mesatarisht të rënda dhe janë duke u trajtuar në Klinikën e Kirurgjisë Plastike. Gjashtë që janë në mjekimin intensiv qendror, kanë djegie të shkallës së madhe”, tha Buja.
Ai tha se gjendja e pacientëve që po trajtohen në këtë klinikë është relativisht stabile por që mund të rëndohet.
“Ndërsa këta që janë duke u trajtuar në klinikën tonë janë relativisht, por që mund të rëndohet gjendja e tyre. Mosha është mesatare ndërsa është edhe një 20 vjeçare që është më e reja dhe ajo është dumke u trajtuar në klinikën intensive e që është në gjendje më të rëndë”, tha ai për KosovaPress.
Drejtori i Klinikës Intesive në QKUK, Shaqir Uka ka treguar për gjendjen shëndetësore të pacientëve që po trajtohen në këtë klinikë.
Aktualisht pretendohet se gjendja e tyre është stabile por megjithatë, Uka tha se këta pacientë hyjnë në mesin e personave të rrezikuar.
“Në Klinikën e Intensivit Qendror janë duke u trajtuar pesë prej tyre që kanë qenë në gjendje më të rëndë dhe një prej tyre është i sistemuar në klinikën e kardiokirurgjisë, pra janë gjashtë prej të lënduarve. Gjendja shëndetësore e pacientëve për momentin pretendohet me qenë stabile edhe pse me këtë shkallë të djegies këta pacientë hyjnë në radhën e atyre pacientëve që janë të rrezikuar”, tha Uka për KosovaPress.
Drejtori Uka tregoi edhe djegiet e sipërfaqes së trupit të këtyre pacientëve është nga 35 deri në 50 për qind.
“Moshat janë nga 20 deri në 45 vjeç. Lëndimet janë djegie të sipërfaqes së trupit të lëkurës nga 35 deri në 50 për qind”, tha Uka.
Ndërsa disa nga të lënduarit siç shkroi mbrëmë kryetari i Ferizajt, Agim Aliu do të dërgohen për trajtim në Turqi.